Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka bërë të ditur se gjatë muajit qershor ka regjistruar dy raste të sulmeve të ndodhura ndaj gazetarëve.
Njëri nga këto dy raste ka qenë sulm fizik ndaj gazetarit të televizionit T7, Valon Rashiti dhe rasti tjetër ka qenë kërcënim verbal ndaj gazetarit të gazetës online “Shneta”, Bujar Vitija.
Tutje sipas AGK-së, gazetari Vitija, më datë 08.06.2018 ka pranuar një kërcënim verbal nga Zenel Kuqi, zyrtar i Prokurimit në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK), i cili pos që e kishte ofenduar dhe sharë gazetarin në fjalë, e kishte sugjeruar atë që ta lajmërojë policinë duke i thënë “Lajmëroje policinë e mos humb kohë sa të ka mbetur”.
Ndërsa, gazetari Valon Rashiti me datë 12.06.2018 ishte sulmuar në hapësirat e QKUK-së, deri sa ishte duke raportuar nga afër për një rast të plagosjes së dy personave i cili kishte ndodhur në Prishtinë, me ç’rast familjarët e njërit nga të plagosurit janë vërsulur në drejtim të gazetarit Rashiti duke e goditur atë në kokë.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rasti i gazetarit Bujar Vitija, është dërguar me kallëzim penal kundër të dyshuarit në Prokurorinë Themelore të Prishtinës. Ndërkaq, rasti i gazetarit Valon Rashiti, akoma vazhdon të jetë nën hetime.
Që nga janari i këtij viti e deri me tash, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka regjistruar gjithsej 12 raste të gazetarëve. 2 nga këto raste janë sulme fizike, 9 raste të tjera janë kërcënime verbale dhe një rast i tjetër është dëmtim i pronës së një gazetareje.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në vazhdimësi është duke kërkuar nga institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë që rastet e gazetarëve të trajtohen me prioritet dhe kryesit e veprave penale ta marrin dënimin e merituar.