Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka shpreh shqetësimin me reagimin e Policisë së Kosovës ndaj përfaqësuesve të medieve gjatë protestës së PSD-së, kundër vizitës së Ekaterina Trendafilova – Kryetare e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale.
Në reagimin e AGK-së, thuhet se lëndime kanë pësuar dy gazetarë e dy kameramanë.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është tejet i shqetësuar si pasojë e zhvillimeve të ditës së sotme nga protesta e PSD-së, kundër Ekaterina Trendafilova – Kryetare e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, ku është hedhur sprej dhe gaz lotsjellës në drejtim të gazetarëve. Nga ky veprim i policisë, kanë pësuar gazetarja Elmedina Ballazhi dhe Pleurat Salihu, i cili edhe është alivanosur, kameramanët Hasan Hoti dhe Rrahman Osmani”, thuhet nga AGK-ja.
Sipas tyre sjellja e Policisë së Kosovës ndaj ekipeve të medieve është e papranueshme dhe e dënueshme.
“Për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, kjo sjellje e Policisë së Kosovës është absolutisht e papranueshme dhe e dënueshme, andaj i bën thirrje që të respektojë punën e gazetarëve, si dhe të mos i pengojë ata gjatë kryerjes së detyrave të tyre profesionale. Njëherësh, u bëjmë thirrje kolegëve që raportojnë nga terreni të bartin me vete ID-të e tyre të punës, si dhe jelekët me mbishkrimin PRESS, ashtu që të identifikohen që janë punonjës të medieve, dhe jo protestues”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Në këtë protestë janë arrestuar gjashtë anatarë të PSD-së, përfshirë kryetarin e kësaj partie, Dardan Molliqaj.