Agush Mehmeti ose siç njihet ndryshe Agush Haziri i përket grupit të kaçakëve të fundit shqiptarë (kryengritësve të kohës kundër pushtuesve) të cilët u vranë në pritë ose pabesi, para 71 vitesh dhe sot e atë ditë nuk u dihet as varri.
Agushi u lind në maj 1920, në fshatin Bresalc, në një familje me tradita atdhetare. Mësimet e para i mori në odat e burrave, ku u brumos me dashuri ndaj kombit dhe atdheut.
Mori pjesë në mbrojtjen e tokave shqiptare nga okupatorë të ndryshëm.
Gjatë kohës sa ishte në një spital ushtarak në Suboticë, ku ishte operuar nga zorra qorre, ai në vend se të kthehet në njësi, ndërron kahen dhe largohet për në shtëpi.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, bashkë me 3 vëllezër dhe 5 kushërinj si dhe shumë bashkëluftëtarë të tjerë u rreshtuan me forcat demokratike të kohës.
U angazhua si ushtar i rregullt i Ushtrisë Shqiptare, Regjimenti IV në Prishtinë.
Më 2 dhjetor 1944 mori pjesë në sulmin për çlirimin e Ferizajt, ku nga forcat serbe vritet Daut Rexhë Haziri, kurse më 23 e 24 dhjetor 1944 mori pjesë në formacionet e Mulla Idriz Gjilanit në sulmin për çlirimin e Gjilanit.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, arrestohet dhe dërgohet në Srem të Vojvodinës, kinse për të mbrojtur kufijtë e Jugosllavisë, ku qëndroi deri më 1947.
Pasi kthehet nga Serbia, bashkë me Ramadan Bejtën dhe vëllain e tij, Ibush Hazirin formojnë grupin diversant të LNDSH-së të përbërë prej 30 anëtarësh, shumë nga ta bashkëfshatarë.
Agush Haziri së bashku me shokë organizojnë prerjen e shtyllave të telefonit në fshatin Shillovë, me qëllim paralizimin e lidhjeve të organeve okupuese të Gjilanit me Serbinë.
Grupi zbulohet dhe arrestohet. Prokurori i kohës Zekoviq ngrit aktakuzë për “kontrarevolucion”, ndërsa në gjyqin e tyre publik, turma serbe kërkonte dënim me vdekje.
Dy nga ta, Agush Haziri dhe Ramadan Bejta dënohen me vdekje-pushkatim, mbi të cilët ngarkohet edhe një vrasje, pasi në bashkëveprim me Hasan Remnikun kishin vrarë Petar Markoviqin, sekretar i PKJ për rrethin e Shillovës dhe Malishevës.
Një ditë para pushkatimit, në prill të vitit 1950, Agush Haziri, falë shkathtësive që posedonte, arrin të thyej burgun e Gjilanit dhe me pranga në këmbë niset drejt lumit Dobrusha.
Pasi del matanë Koretishtës, me përdorimin e gurëve këput një hallkë të vargonjve që kishte në këmbë dhe vazhdon deri në Bresalc.
Në ditët në vijim burgoset Latif Haziri, i cili mbahet në burg përreth tre muaj. Bresalci mbahet për 6 javë nën kontroll.
UDB-ja premtoi shuma të mëdha parash për ata që do të kapnin apo do të vrisnin Agushin.
Pas shtatë ditësh, gruaja dhe motra arrijnë që t`ia këpusin të gjitha prangat.
Për një kohë u strehua në shtëpinë e Kadri Uruçit nga Bresalci, në një dhomë të vogël, të cilën e përgatiti brenda natës që të mos hetohet.
Mirëpo, në atë hapësirë nuk mund të jetonte gjatë, prandaj kërkoi që ta nxjerrin në mal dhe ta takojnë me Hasan Alinë, të cilin takim e bëri të mundur Naman Qarrolli nga Bresalci në shtëpinë e vjetër të vëllezërve Haziri.
Pas më shumë se tetë muajsh qëndrimi në male, më 9-10 tetor 1951, rrugës për në Shqipëri, bien në kurth, diku në luginën e lumit Bistrica dhe vriten Agush Haziri, gruaja e tij Qibrije Alidemi Haziri, Hasan Alia, mësuesi Mustatë Kokaj me bashkëshorten Rabijen.
Pas vrasjes, trupat e tyre ekspozohen në Qendrën e tregut në Prizren, pastaj në tregun e Vitisë dhe në fund transferohen në qendër të Gjilanit, për tri ditë rresht, para sheshit “Lama e Miellit” (Shtëpia e Mallrave), me qëllim për t’i frikësuar qytetarët e kësaj treve shqiptare.
Trupat e tyre u zhdukën pa gjurmë. Agush Haziri dhe grupi i Hasan Alisë, as sot, 71 vjet më vonë, nuk kanë një varr për t`i nderuar për trimërinë e tyre./Mediafokus.info/
……………….
(Foto: Familjarët duke bërë homazhe te pllaka përkujtimore, në mungesë të varrit)