Ah Gilan! Nuk kishte shumë pasuri, por kishte njerëzi!
Atëherë jeta kishte kuptim! Shkolla, kultura, edukata çmoheshin shumë! Kishte respekt…!
(Gjilani dikur dhe sot – nëpër ngjyrat e kohës!)
Rruga mbushej me nxënës të shkollës fillore, zëri i tyre zgjonte energji motivuese, me plot jetë…
4.
Ah Gilan!
Qyteti kishte shumë kroje, çezme me pompim, plepat dominonin, gjithandej. Trëndafile, hardhi rrushi, pemë e lule të llojllojshme, shumëngjyrëshe; sokaqet me kalldërmë…
Nën hije të hardhisë kuvendonin, pinin kafe e çaj, jo vetëm, por, kryesisht, me fqinjët! Kishte dashni e respekt për njëri-tjetrin, kishte vajtje-ardhje… Jeta kishte lezet!
Bunari i Sutkës ishte vendi ku zjarrëfikësat mbushnin automjetet me ujë. Fillimi i mëhallës ishte kryesisht me serbë, deri te shtëpitë e Mehmetalëve. Rruga mbushej me nxënës të shkollës fillore, zëri i tyre zgjonte energji motivuese, me plot jetë. Dobrusha ngritej gjatë shirave dhe, gjatë vërshimeve, uji hynte nëpër shtëpitë përreth.
Gjatë Ramazanit luanim symëshelsa, pilifunca, rrak-çak-çak. Në sokakun tonë filluan ushtrimet për vozitës. Në mëhallën Baleci, Sali Uglari dhe Fetah Kasapi lëshonin delet dhe mbushnin rrugën. Dashi me brina të dredhura ecte si “komandant” përpara. Miftari dhe Bajrushi mbanin lopë. Në mëhallë kishte shumë pëllumba. Kacafytja e gjelave ishe sport! Islam Baruti, ashkali, me plis dhe kamish ecte si azgan! Dana ishte rrobaqepëse e njohur, Rista ishte këpuctar. Makfirja, vajza e Emin Osmanit, ishte deputete. Ymer Brestovci të gjithë fëmijët i kishte të shkolluar. Qeda e Miqa ishin farmacistë. Te kafeneja e Cakit mblidheshin bekritë e qytetit për një gotë raki dhe meze. Haliti dhe Abdyli ishin berberë. Xhamia e Balecit qëndronte vertikal, duke u treguar krenare me sherifen e vet. Andej çezmes së Balecit ishin livadhet e Agushagëve, ndërsa me 1967 u hap stadiumi i qytetit. Nëpër mëhallë kalonte Ramë “Pishtola”, e ne fëmijët shkonim pas duke e ngucur (ngacmuar me fjalë shpotitëse), duke i thënë “Ramë Pishtolja, tra (të ra)fletorja!”
Muzika ishte pjesë e jetës të kësaj mëhalle. Duhani, kapixhikët, defi i Rabës, Çelebisë dhe Shashivarit i ofronin melodi jetës!
NË MËHALLË KISHTE HARMONI, KAPIXHIKAT MUNDËSONIN SHËTITJE TËRË DITËN DHE NATËN, ATO NUK MBYLLESHIN! ARDHACAKËT NË MËHALLË SHPEJT I ADAPTOHESHIN RITMIT TË JETESËS. RESPEKT KISHTE PA KUFI! KUR KALONIN TË MOSHUARIT, TË RINJTË NGRITESHIN NË KËMBË! NDALNIN LOJËN DHE PËRSHËNDETNIN!
Ah GILAN! Ah mëhalla ime! Ku mbetën kujtimet…?!
Ah Gjilan…, rrëfimi për ty nuk përfundon kurrë…!
/Rrëfim i dr. Shevqet Mehmetit; përgatiti për shtyp (redaktoi): N.Buzuku/