Ah Gjilan! Sa shumë kujtime kanë lënë gjurmët e jetës…!
Jeta ashtu siç ishte, e natyrshme dhe me lezet!
Gjilani dikur dhe sot – nëpër ngjyrate e kohës!
Me çka mbuloheshin muret e shtëpive? Kur u hap shkolla “Musa Zajmi”? Ku mbushnin ujë gjatë Ramazanit? Cili nxënës u bë fotografist? Te furrat e kujt blenin pitalka për syfyr? Ku rrëshqitnin gjatë dimrit fëmijët e lagjës? Kur erdhi rryma elektrike në qytet?…
2.
Ah Gjilan…!
Axha Emin kishte një dud të madh, mashkull, në oborr. Nën hije të dudit, Shasivari i mëshonte defit, teta Mejreme, teta Akile, Zehra, teta Hajrije, pinin kafe, kallnin cigare dhe bënin xhymysh. Muret e shtepive ishin të mbuluara me vargjet të duhanit, që atëherë kultivohej me të madhe dhe ishte degë e rëndësishme e ekonomisë dhe e zhvillimit.
Mala ishte bekri, Hajdari voziste kryetarët e Gilanit, Gjura ishte vozitës i mercedesit të Kombinatit te Duhanit dhe fliste perfekt turqishten. Isa Iliazi kishte veturën “Shkoda”, Qeda kishte “Taunus”, Cela kishte “Ford Kurtine”. Miqa, i pari kishte televizor “Atlas”.
Luca, bashkëshortja e Miqës, televizorit ia vënte filterin, ne fëmijët e mëhallës mendonim që ishte TV me ngjyra!
Shkolla fillore “Musa Zajmi” filloi punën në gjysmëvjetorin e dyte, me 1959. Mësuesi Ali Malisheva ishte mësues i vëllaut Mehmetit. Fëmijëve i ofroheshin krofne të nxehta, tambël (qumësht) dhe çaj. Unë me 1961 isha në klasën e parë. Në oborr të shkollës luanim futboll. Ismeti na bënte topin copa me sakicë. Fahredin Kçikun dhe motrën e tij i kisha në klasë. Fahredini, pastaj, u bë fotografist në mëhallën time. Mësuesja e turqishtës, Sebahatja, bashkëshortja e farmacistit Mahmut Efendiut ishte hanëme, ardhke mysafire te kojshikja (fqinja) ime, Makfirja, vajza e Emin Osmanit.
Ah Gilan…, edhe nata na dukej pak kur jetonim jetën nëpër ato vite…!
Gjatë Ramazanit mbushnim kënatat me ujë në Balec; vargu pritjes ishte i gjatë para iftarit. Luanim lojëra deri në syfyr, kur shkonim të blenim pitalka te furra e Ilazit. Në mëhallë flitej turqishtja, shqipja dhe serbishtja. Të gjithë i dinim gjuhët e njëri-tjetrit. Te kodra e Balecit dhe te sokaku i Cakit Bivollarit, rrëshqitnim me saja dhe me nallane. Abdurrahmani ishte fotografist, babai i tij, Ahmet “nepa”, luante domino te Borki. Mila i lëshonte filmat në bioskopin e qytetit. Në këtë mëhallë ka punuar edhe Pera avokati me sheshir. Todor Arsiqi kishte pasur bannkën e vet “KOSOVA”, ndërsa familja e tij e kishte sjellur rrymën elektrike në qytet, me 1937. (Rrëfim i dr. Shevqet Mehmetit). (Vazhdon nesër)