Metush Ajvazi nga Gumnishta e Ultë, e Komunës së Gjilanit, thotë se vazhdojnë të jenë në hall me rrugën, nëpër të cilën duhet të kalojnë për çdo ditë.
Ai thotë se rruga që lidhet me shtëpinë dhe familjen e tij, është shkatërruar pothuajse tërësisht, gati para tre muajve nga shiu i rrëmbyeshëm.
“Jemi në gjendje të mjerueshme tash e gati tre muaj, sepse rruga e cila na lidhë me nevojat jetësore është shkatërruar. Shiu i rrëmbyeshëm para rreth tre muajve, e ka dëmtuar afër 80 për qind. Tashmë mbi këtë rrugë mund të kalojnë vetëm këmbësorët dhe jetesa sikur është paralizuar…! – Kemi njoftuar institucionet përgjegjëse të komunës lidhur me situatën e krijuar dhe kemi kërkuar që ta zgjidhin këtë problem. Megjithatë, deri më tash, as që ka dalur kush për t’a shikuar së paku gjendjen e saj”, ka thënë Ajvazi.
Ai ka thënë se pushtetarët duhet t’a kuptojnë faktin se edhe ne jemi qytetarë të kësaj komune dhe se duhet të trajtohemi dinjitetshëm nga institucionet.
Sipas tij, thuhet se ai dhe familja e tij jetojnë nga blektoria duke u kujdesur për 100 krerë dele, 10 krerë lopë dhe disa krerë dhishë.
“Me këto bagëti mbajm familjen. Dhe askush nuk na ndihmon, anipse kemi nevojë! E, tash edhe me rrugën e prishur…! – Vërtetë s’dijm çfarë të bëjë…?! Por, nëse neglizhohemi kështu nga institucionet tona, s’na mbetet zgjidhje tjetër, pos të i shesin bagëtinë që kemi, siç thuhet shkel e shko, dhe të shpërngulemi në Gjilan. E dijm se nuk do ta kemi aspak lehtë, por s’na mbetet shtek tjetër…” ka thënë ai./GJILANI.INFO/