Nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, është mbajtur Akademia Përkujtimore kushtuar shënimit të 100-vjetorit të lindjes së Heroit “Metush Krasniqi”.
Në Akademinë Përkujtimore ishte i pranishëm Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, familjarë të Heroit Metush Krasniqi, përfaqësues të institucioneve, qytetarë dhe të ftuar të tjerë.
Duke folur për figurën dhe veprën e Heroit Kombëtar Metush Krasniqi, Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, vuri në pah kontributin e tij të jashtëzakonshëm në arsim, ndërgjegjësimin kombëtar dhe veprimtarinë patriotike. Ai theksoi se Metush Krasniqi e kuptonte dijen dhe arsimin si mjete themelore për forcimin e vetëdijes dhe identitetit të një populli, duke e lidhur përkushtimin ndaj arsimit me idealin për liri dhe dinjitet kombëtar.
“Heroi Metush Krasniqi ishte një njeri i bindjes dhe i idealit, një njeri që besonte se dinjiteti i një populli fillon nga vetëdija e tij, se liria fillon nga dija dhe se arsimi është një nga shtyllat mbi të cilat ndërtohet e ardhmja”, theksoi Kryetari Rahimaj.
Duke folur për përgjegjësinë e Komunës së Kamenicës në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë së Metush Krasniqit, Kryetari Rahimaj theksoi se institucionet kanë detyrimin që figurën dhe veprën e tij ta përcjellin te brezat e rinj jo vetëm përmes aktiviteteve përkujtimore, por edhe përmes veprimeve konkrete institucionale.
“Si Kryetar i Komunës së Kamenicës, e konsideroj nder dhe përgjegjësi që kjo komunë ta ruajë dhe promovojë trashëgiminë e Metush Krasniqit. Gjatë punës sonë, kemi ndërmarrë disa hapa konkretë në këtë drejtim, kemi emërtuar sheshin e qytetit me emrin e Metush Krasniqit, kemi krijuar “Çmimin e Nderit Metush Krasniqi”, si çmimin më të lartë që Komuna ua ndan personaliteteve të shquara kombëtare, ndërsa, me kërkesë të Komunës, Posta e Kosovës ka nxjerrë edhe pullën postare me figurën e tij. Këto nuk janë vetëm vendime institucionale. Janë mënyra për ta bërë kujtesën pjesë të jetës së qytetit dhe për t’ua përcjellë brezave të rinj emrin, veprën dhe sakrificën e Metush Krasniqit”, ka shtuar ndër të tjera Kryetari Rahimaj.
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij foli për veprimtarinë e Metush Krasniqit dhe rolin e tij në përpjekjet për lirinë e Kosovës.
“Një jetë njerëzore që në gjithë shtrirjen e saj është përshkruar anë e tejë nga aktivitetet dhe angazhimi për lirinë e popullit të tij. Një subjekt i mirëfilltë që me këmbë në tokë e bën historinë e atdheut të vetë duke e hedhur vetën në ujërat e zhvillimit të kohës përtej kushteve dhe mundësive me një qëllim të vetëm lirinë e Kosovës dhe afirmimin e vullnetit politik të popullit të saj. Andaj lavdi Metush Krasniqit për gjithçka që ka bërë dhe përjetuar për lirinë e Kosovës që ne e gëzojmë së bashku”, ka thënë Kryeministri në detyrë.
Profesori Emin Krasniqi, duke folur për figurën e Heroit Metush Krasniqi, theksoi se ai e jetoi historinë e popullit në periudhat më të vështira dhe se guximi i tij ishte i lidhur ngushtë me idealin e lirisë.
“Heroi Metush Krasniqi ishte njeriu që e jetoi historinë e popullit tonë në kohët më të vështira. Në një periudhë kur fjala liri kushtonte shtrenjtë, ai foli, ai guxoi. Ai e kuptonte se liria nuk fitohet vetëm në ditën kur shkëputeshin prangat, liria fillon më herët. Nderimi më i madh që mund t’ia bëjmë heroit Krasniqi është jo vetëm të flasim për të, por të punojmë e të përparojmë për Kosovën e lirë”, theksoi ai.
Ndërkaq, Kryetari i Shoqatës së të Ish-Burgosurve Politikë, Shefik Sadiku, vlerësoi se vepra e Metush Krasniqit vazhdon të përcjellë një mesazh të rëndësishëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm, veçanërisht për rëndësinë e guximit, dijes dhe organizimit në ndërtimin e shtetit.
“100 vjet pas lindjes së tij vepra e Metush Krasniqit na e lë një mësim shumë të madh, shumë domethënës se liria kërkon guxim. Për shtetndërtim kërkohet edhe dije, organizim, largpamësi, bashkim dhe vazhdimësi ndërmjet brezave”, ka thënë ai.
Në kuadër të Akademisë Përkujtimore u bë edhe zbulimi i tabelës për emërtimin e sheshit “Metush Krasniqi”, ndërsa u prezantua edhe Ekspozita Dokumentare kushtuar figurës dhe veprës së Heroit.
Po ashtu, u bë ekspozimi i Çmimit të Nderit “Metush Krasniqi” dhe i Pullës Postare me figurën e Heroit.
Aktivitetet për shënimin e 100-vjetorit të lindjes së Heroit “Metush Krasniqi” synojnë ruajtjen e kujtesës historike dhe përcjelljen e veprës, sakrificës dhe mesazhit të tij te brezat e rinj.

