Një aksident i rëndë ka tronditur aksin rrugor Kllokot-Viti në orët e para të 1 nëntorit 2024, kur një veturë doli jashtë kontrollit, duke sjellë pasoja fatale për një nga pasagjerët.
Toger Ismet Hashanit, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, për Radio Star, ka treguar se aksidenti ka ndodhur rreth orës 01:15, kur shoferi humbi kontrollin mbi mjetin e tij me targa vendore, duke dalë nga rruga dhe duke u rrokullisur.
Pasagjeri, fatkeqësisht, humbi jetën në vend nga lëndimet e marra, ndërsa mjekët e pranishëm konfirmuan vdekjen e tij. Shoferi i automjetit, që pësoi lëndime trupore, po trajtohet në Spitalin Rajonal të Gjilanit.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa drejtuesi i mjetit pritet të mbahet për procedura të mëtejshme ligjore.