Në periudhën janar-shtator të këtij viti rreth 6 mijë shoferëve u është marrë leja e vozitjes. Në po të njëjtën periudhë nga Policia e Kosovës janë shqiptuar rreth 400 mijë tiketa trafiku, ndërsa vetëm gjatë muajit tetor 13 persona kanë gjetur vdekjen në komunikacion, shkruan gazeta Zëri.
Sipas njohësve të sigurisë, numri i aksidenteve nuk mund të zvogëlohet derisa të merren masa preventive nga institucionet përgjegjëse. “Numri i aksidenteve nuk do të zvogëlohet derisa institucionet e Kosovës nuk do të merren me hulumtimin e shkaktarëve të aksidenteve dhe me marrjen e masave preventive”, ka thënë Drizan Shala për “Zërin”.
Faktorë në shtimin e aksidenteve, sipas tij, në shumicën e rasteve janë mosrespektimi i shenjave të komunikacionit, ndikimi i alkoolit, por edhe mungesa e infrastrukturës rrugore. “Në masën më të madhe për shtimin e aksidenteve në rrugët e Kosovës mund të veçohen këto pika: mosrespektimi i shenjave të komunikacionit (ligjeve mbi komunikacionin), mospërmbushja e normave ligjore të kontrollimeve teknike të automjeteve, ndikimi i alkoolit dhe i substancave narkotike, mungesa adekuate e infrastrukturës rrugore (sinjalistika, ndriçimi i rrugëve etj.)”, ka thënë ndër të tjera ai.
Shala ka treguar edhe disa elementë, që sipas tij ndikojnë në parandalimin aksidenteve.
“Elementet që duhet të shtohen në parandalimin e aksidenteve janë si në vijim: shtimi i radarëve fotografikë statikë (blicat) në rrugët më të frekuentuara, vendosja e radarëve fotografikë lëvizës në vetura civile, zbatueshmëria e ligjeve aktuale nga ana e PK-së në aspektin operativ mbi sigurinë në komunikacion, rivlerësimi i shoferëve që arrijnë 10 pikë negative në komunikacion dhe rimodelimi i vlerësimit të kontrolleve teknike në tërë RKS-në”, ka potencuar Shala.//ZERI