Policia e Kosovës, pas vdekjes së gjashtë personave në dy aksidente komunikacioni, u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të jenë më vigjilent dhe të kenë kujdes të shtuar.
Në një komunikatë për media, Policia e Kosovës kërkon vëmendje posaçërisht në këtë periudhë kohore, ku kemi shtim të qarkullimit rrugor, e po ashtu të reshura më të mëdha të shiut, të cilat mund të ndikojnë në kufizim të dukshmërisë dhe qarkullimi nëpër rrugë mund të vështirësohet.
Policia e Kosovës me njësitet e saj po vazhdon të monitorojë dhe të menaxhojë situatën në trafikun rrugor nëpër të gjitha rrugët e vendit dhe aty ku pjesëmarrësit bien ndesh me rregullat në trafik, aplikon masa ndëshkuese ligjore, me qëllim të parandalimit të aksidenteve në përgjithësi, e në veçanti atyre me fatalitet, që po paraqesin shqetësim për të gjithë ne, për shkak të humbjes së jetëve njerëzore”, thuhet në deklaratë.
Ndryshe, gjatë këtij gjashtëmujori është evidentuar rënie e aksidenteve fatale për 19.61 për qind, ndërsa rënie në total të aksidenteve prej -13.25 për qind.