Shkruajnë: Florindë Abazi dhe Blerona Bahtiri
Xhavit Ahmeti nuk arriti të çojë deri në fund rrugën e nisur në shkencë e politikë. Aksidenti ia ndali përgjysmë ambiciet gjilanasit që kishte mbërritur të bëhej këshilltar i Ibrahim Rugovës për arsim. Si profesor, ai ndihmoi studentët e tij që të studionin jashtë Kosovës dhe të mbërrinin majat e shkencës.
“Ishte plot entuziazëm për të arritur në majat e hulumtimeve shkencore”. Ky është vlerësimi i Fatmir Sejdiut, ish-president i Kosovës, për të ndjerin Xhavit Ahmeti.
Përpos detajeve në aspektin profesional, ish-udhëheqësi i Kosovës tregon se ishte bashkë me Ahmetin kur ky i fundit vdiq në nëntorin e 1996-ës në një aksident trafiku teksa po shkonin në Beograd, për t’u pajisur me vizë gjermane.
“Pësuam një aksident jashtëzakonisht të rëndë. Ishte fatal për jetën e tij”, kujton Sejdiu kohën kur vdiq Ahmeti.
“Ishte një dijetar që ishte në listën botërore të kimistëve”, thotë ai.
Në aksidentin ku vdiq Ahmeti, pos Sejdiut ishin edhe Hydajet Hyseni e shoferi i makinës, Agim Spanca.
Ish-presidenti Sejdiu bashkë me kolegët e tij ishin duke shkuar në Beograd për t’u pajisur me vizë pasi Kosova ishte pjesë e ish-Jugosllavisë dhe shtetet tjera nuk kanë pasur ambasada në Prishtinë. Atëkohë, Serbia instensifikoi dhunën, burgosjen dhe vrasjen e shqiptarëve që prodhoi edhe luftën ku u vranë mbi 13 mijë shqiptarë e u dëbuan më shumë se 1 milion banorë nga Kosova.
Fatmir Sejdiu kujton kohën kur si gazetar për herë të parë e takoi Xhavit Ahmetin, studentin e dalluar, me të cilin realizoi intervistë për një hulumtim shkencor.
‘’Si student e dija se ishte i përgatitur, me një notë mesatare të lartë dhe një fjalor jashtëzakonisht të pasur.’’, kujton ish-presidenti Sejdiu për mbresat që i kishte lënë studenti gjilanas.
Sipas Sejdiut, këto cilësi të tij, u kthyen në shkak që Xhavit Ahmeti pas përfundimit të studimeve, të marrë pozitën e mësimdhënësit në UP. Kontakti i tyre vazhdoi edhe disa vite më pas, në vitet e ’90-ta, ku të dy ishin ndër themeluesit e parë të lëvizjes politike të asaj kohe që u emërtua si Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Madje, bashkëpunimi i tyre vetëm sa u thellua, kur profesori i Kimisë, u përzgjodh si këshilltar për Arsim, nga presidenti i atëhershëm Ibrahim Rugova.
Kimisti që u kthye në udhërrëfyes për studentët
Xhavit Ahmeti i lindur në fshatin Përlepnicë të Gjilanit, ndërroi jetë një muaj pasi kishte mbushur 44 vjet.
Ahmeti ishte fëmija i parë në familje, e pas tij vijnë edhe dy vëllezërit dhe dy motrat. Vëllai i tij, Qemajli, thotë se Xhavitin e konsideronin edhe si prind.
“Sepse neve na ka vdekur babai shumë herët”, rrëfen Qemajli, i cili , më vonë mori edhe pozitë të lartë politike e shtetërore.
Profesori nga Gjilani, pavarësisht përgjegjësive që mbante në familje, politikë e profesion, ai ishte gjithmonë në gjendje te mbante balancin e jetës, e të jepte vetëm pozitivitet. Këtë e thonë dy ish-studentët e tij, Fetah Podvorica e Ramë Vataj, të cilët tregojnë se profesori i tyre çdoherë ishte i afërt me studentë.
‘’Ai nuk e ngriste zërin ndaj studentëve. Edhe kur studentët bënin sjellje jo të hijëshme, ai i tregonte me mesele, në mënyrë që ata të merrnin mesazhin”, thotë Ramë Vataj, tani profesor në Departamentin e Kimisë.
Profesori Vataj thotë se Xhavit Ahmeti ishte udhërrëfyes dhe shembull për të dhe studentët tjerë.
“Nga ai kam marrë gjithçka”, shtoi ai.
Fetah Podvorica, një tjetër ish-student, tashmë akademik dhe profesor i kimisë, tregon se përkrahja e ish-profesorit të tyre nuk ka munguar asnjëherë.
Për ta vdekja e Ahmetit, ishte humbje e madhe. Kjo për shkak se lidhja profesor-student, ishte gjithherë e fortë.
Podvorica tregon se ish-këshilltari i Rugovës, ishte shndërruar në një imazh frymëzues për studentët e asaj kohe.
‘’Kushtimi i tij profesional ishte i nivelit vërtetë superior”, vlerëson Podvoricia ish-profesorin e tij.
Madje, ai thotë se Ahmeti ishte “shpëtim’’ për studentët.
Ndër tjerash, Podvorica shpreh se përkushtimi i Ahmetit ishte maksimal që të ndihmonte të tjerët, në mënyrë që të krijonte kuadro sa më të mira të kimisë.
Për këtë arsye, Vataj e Podvorica, thonë se ish-profesori i tyre ishte këmbëngulës që të ata të vazhdonin studimet jashtë vendit.
Një gjë të tillë edhe e arritën. Të dy ish-studentët e Ahmetit doktoruan në Francë, ashtu edhe sikurse vetë Xhavit Ahmeti, i cili gradën më të lartë shkencore e arriti në Zagreb të Kroacisë.
Dy ish-studentët e tij zgjodhën të ndiqnin hapat e njëjtë me profesorin e tyre, prandaj edhe falënderimet më të mëdha për këtë rrugëtim i kanë për Ahmetin.
Të dy tregojnë se vlera e profesor Ahmetit për ta ishte e madhe. Bile pavarësisht faktit që ata kishin mundësinë që një pjesë të arsimimit ta kryenin jashtë vendit, deklarojnë se asnjëherë nuk kanë njohur një profesor të tillë. As brenda Kosovës, e as jashtë saj.
“Përgatitjen, të shprehurinë, angazhimin dhe përpikmërinë e tij nuk e kam hasur tek askush tjetër.’’, u shpreh akademiku Podvorica.
Pas përfundimit të studimeve në Francë, që të dy vendosën ktheheshin në vendlindje. Qëllimi ishte i qartë: të kontribuojnë në fushën e arsimit. Ndërsa, shkaku ishte i njejtë: ndjenja e detyrimit dhe rrespektit ndaj ish-profesorit të tyre, Xhavit Ahmeti.
Rrëfimet e ish-presidentit Sejdiu, të vëllait dhe të dy studentëve të Ahmetit, bashkoheshin në një pikë. Kur flisnin për karakterin që ish-deputeti posedonte. Në bisedë e sipër, ata thanë se profesori Ahmeti ishte personalitet i çeliktë, i pathyeshëm dhe parimor.
‘’Ai ka qenë njeri shumë i rreptë në qëndrime, nuk ka lejuar që gjithçka t’i ndalë prej dore’’, tregoi ndër tjerash Podvorica.
Në anën tjetër, thonë se ka qenë shumë familjar, gazmor e i hareshëm.
I vëllai i tij, tregon për kujdesin që Ahmeti kishte kundrejt të tjerëve dhe se si ishte i gjithanshëm në komunikim me persona të ndryshëm.
‘’Ka qenë shumë i afërt me njerëz, edhe si fëmijë, por edhe kur është rritë”.
E për presidentin Sejdiu, Xhavit Ahmeti dallonte nga të tjerët.
“Dallohej nga sharmi i tij. Ka qenë një djalë jashtëzakonisht i hareshëm’’, u shpreh Sejdiu.
Kimisti Ahmeti, qasje të njejtë kishte edhe me studentët e universitetit ku punonte, të cilët tregojnë se ai nuk ka shprehur asnjëherë autoritet ndaj tyre dhe ka qenë person shumë i thjeshtë.
‘’Ishte njerëzor. Kurrë nuk e reflektonte mërzinë dhe energjinë negative tek studentët’’, tha Vataj.
Qemajl Ahmeti thotë se nga fëmijëria, Xhaviti ëndërronte të bëhej shkencëtar. Madje, në familje e thërrisnin ‘njeri i lapsit’.
Pos me kimi e politikë, Xhavit Ahmeti merrej edhe me art e letërsi, duke lënë pas vetes disa poezi e një vëllim prozash.
Madje, kishte përgatitur edhe një vëllim prozash, por që nuk arriti ta botonte, libër që edhe sot ka mbetur i papublikuar.
‘’Ka ditë me vallëzu e me këndu.’’, thotë vëllai i Ahmetit.
Afërsia që ishte krijuar mes profesorit dhe studentëve, të cilët më pas ishin edhe asistentë e bashkëpuntorë të tij, i kishte dhënë hapësirë që ata të formonin një lidhje që kalonte përtej asaj profesionale. Vataj e Podvorica, shpjeguan se si njeriu i shkencës, kishte arritur të mësonte që të luante instrumentin e çiftelisë e mandolinës në mënyrë didakte.
‘’Ka qenë njeri i thjeshtë, artist!’’, shtoi Vataj.
Ish-studenti Podvorica, tregoi se profesori Ahmeti posedonte aftësi edhe në përkthimin e gjuhëve të huaja.
‘’Literatura e studimeve nuk ka qenë në gjuhën shqipe, por në gjuhën kroate apo angleze dhe profesori Xhavit i ka përkthyer në gjuhën tonë”.
Si autor i librave, kimisti Vataj zbuloi se profesori Ahmeti sa ishte në jetë, ka punuar disa libra që lidheshin me studimet e kimisë, por të cilat nuk mundi t’i finalizonte.
‘’Librat e tij ai i filloi, unë i përfundova. Ende i kam tekste origjinale, siç m’i ka dorëzuar profesori.’’
Politika, sferë e imponuar për Ahmetin
Dashuria për politikën, nuk përkonte me atë që kimisti Ahmeti e ndjente për shkencën.
Rrethanat e vështira me të cilat ishte përballur familja e tij në të kaluarën, ishin kthyer në shkak që ai të mos shprehte dëshirën që t’i bashkohej ndonjëherë kësaj fushe.
Një gjë të tillë e deklaroi i vëllai i profesorit, Qemajli, ku tutje tregoi se si u vra axha i tyre nga ish-pushteti jugosllav, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. E gjitha kjo për shkaqe politike. Kjo edhe pati ndikuar që në vitin 1993, Xhavit Ahmeti t’i bashkohej skenës politike, ani pse me mosvullnetin e tij.
‘’Neve na është imponu në vitet e ’90-ta, për shkak të okupimit. Është dashtë me u marrë me politikë, thjeshtë me u çliru”, tregoi i vëllai i tij.
Në LDK, ai iu bashkua degës së katërt, në Dardani të Prishtinës.
Detajet se si e morri vesh për herë të parë që kryetari Rugova kërkoi Xhavit Ahmetin si këshilltar të arsimit, ende i ka të freskëta Qemajli.
Sipas tij, Rugova ishte në dijeni nga të tjerët, se shkencëtari nga Gjilani ishte një orator i mirë, bindës e këmbëngulës, me ç’rast kishte kërkuar që edhe të takohej me të.
‘’Kam nevojë për ndihmesë’’, me këto fjalë Rugova i kërkoi Xhavit Ahmetit që të bëhej përfaqësues i Kosovës në arsim, në cilësinë e këshilltarit. Përgjigjen për këtë post, Ahmeti në ato kohë e tregoi në po ato momente, duke thënë se e pranon atë, ani pse Rugova i kishte dhënë hapësirë kohore prej tri ditësh, që të mendohej rreth marrjes së kësaj detyre.
Në këtë mënyrë filloi puna dhe veprimtaria e Xhavit Ahmetit në sferën e arsimit si politikan, e cila tashmë nuk përfshinte vetëm Universitetin në të cilin punonte, por mbarë vendin.
Si këshilltar i arsimit, Xhavit Ahmeti dha kontribut në disa çështje. Aktivizmi i tij për mbarëvajtjen e mësimit në shtëpitë-shkolla, thellimin e bashkëpunimit me Universitet tjera jashtë vendit, përpjekjet për rikthim në objektet arsimore e mbështetja e vazhdueshme ndaj aktiviteteve studentore, ishin disa nga veprimtaritë që Ahmeti ofroi përkrahjen e tij sa ishte në detyrën e këshilltarit për arsim.
‘’Ka qenë etuziast me i mbështet studentët në të gjitha mënyrat.’’, u shpreh Vataj, i cili gjithashtu tregoi se profesori Ahmeti përkrahte idenë që problemet e atëhershme me arsimin të zgjidheshin paqësisht, e jo me dhunë.
‘’Prisni pak, kur fillon semestri i dytë, nëse nuk kthehemi në objekte, unë kam me i pri protestës!’’, me anë të këtyre fjalëve, kimisti Ahmeti mundohej t’i qetësonte studentët shqiptarë, në mënyrë që situata të mos dalë jashtë kontrollit.
Por, vetë profesor Ahmeti ishte ndjekës i lirisë. Ai u arrestua për dy muaj nga regjimi i atëhershëm serb, për shkak të bindjeve të tij politike dhe veprimtarisë që po zhvillonte në lëvizjen e shqiptarëve për pavarësi.
‘’Nuk ishte pishman për veprimet që kishte bërë.’’, tha Fatmir Sejdiu duke kujtuar situatën pas lirimit të bashkëpunëtorit të tij.
Ish-sekretari i LDK-së, Fatmir Sejdiu, përmendi edhe entuziazmin dhe punën e palodhshme të profesorit, në funksionalizimin e shtëpive-shkolla.
‘’Kishim përpjekje që të organizohet sa më mirë i gjithë sistemi i arsimit, i cili ishte ringjallur në ato kushte të vështira.’’
Në anën tjetër, Ramë Vataj, ndau një situatë me të cilën ishin përballur ai bashkë me profesorin Ahmeti, atëherë kur strukturat serbe kishin nën administrim Universitetin e Prishtinës.
Sipas tij, Ahmeti kishte kërkuar me ngulm që dokumentet të mbanin emrin e Republikës së Kosovës dhe t’i përkisnin gjuhës shqipe, e jo asaj serbe.
‘’A për këto katër S-ja jemi duke ndenjë podrumave, a?’’, ishte pyetja që Xhavit Ahmeti i kishte parashtruar njërës nga punonjëseve serbe në administratën e Universitetit. E ish-studenti i tij Vataj thotë së qëndrimi i kimistit ishte i prerë, prandaj kjo edhe ka mundësuar që vet ai sot në dokumentet e Universitetit, ka vulën e shtetit të Kosovës.
Mirëpo, përse pikërisht këshilltar për arsim dhe jo i ndonjë fushe tjetër?
Arsyeja se pse Ahmeti ishte zgjedhur këshilltar për arsim, nuk ishte diçka e rastësishme. Ish-presidenti Sejdiu, përmend se profesori i kimisë, përfaqësonte personin më adekuat për këtë pozitë.
‘’Profesori Xhavit ka njohur problematikën e arsimit në thellësi dhe kjo ka qenë arsyeja e përzgjedhjes së tij në atë fushë.’’
Nëntori i kobshëm
‘’Thonë vëllau kur vdes ta këput krahun, por mua më ka kput në kurriz.’’ Kështu e përshkruan dhimbjen Qemajl Ahmeti, kur flet për humbjen e të vëllait.
Xhavit Ahmeti vdiq në një aksident trafiku më 21 nëntor 1996 , teksa po shkonin në një udhëtim zyrtar në Beograd. Bashkë me të ishin edhe Fatmir Sejdiu, Hydajet Hyseni dhe shoferi i makinës, Agim Spanca, të cilët kishin marrë lëndime të rënda trupore.
Xhavit Ahmeti u varros në lagjen Dragodan të Prishtinës dhe pjesëmarrës në varrimin e tij ishin mijëra persona.
Vdekja e tij, asokohe u cilësua si humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe të afërmit e tij, por për mbarë Kosovën.
‘’Kam humb një mik që për mua është dhimbje shumë, shumë, shumë e madhe.’’, thotë ish-sekretari i LDK-së, Fatmir Sejdiu, për vdekjen e mikut të tij.
Të tilla fjalë kishin thënë edhe shumë njerëz që arritën ta njihni nga afër Xhavit Ahmetin, por jo vetëm. Humbja e ish-këshilltarit të Rugovës, ishte disfatë dhe për familjarët, studentët, bashkëpunëtorët, e mbarë Kosovën.
Profesorët Vataj e Podvorica, u shprehën se Kosovës iu shua një personalitet i lartë, një kimist i dalluar e një shpirt artistik. Gjithashtu thanë se për të gjithë ata që kanë jetuar në kohën e veprimtarisë së profesorit të tyre, emri i tij do të thotë shumë. Por, pas vdekjes së tij, personaliteti i tij mbeti nën hije të kohës, duke mos u përmendur aq sa duhet nga udhëheqës e figura politike të vendit.
‘’Nuk e kanë respektuar e lartësuar aq sa duhet figurën e profës, ashtu si ai meriton.’’, potencoi Ramë Vataj.
Nderimi ndaj Xhavit Ahmetit
Në nderimi të veprimtarisë së vazhdueshme të Xhavit Ahmetit sa ishte gjallë, disa rrugë dhe tri shkolla në vend mbajnë emrin e tij, si dhe buste që janë ngritur, për rikujtimin e figurës së profesorit gjilanas.
Pas vetës, Xhavit Ahmeti la bashkëshorten dhe pesë fëmijët e tij.
E krejt në fund, kimisti e akademiku Fetah Podvorica, tha: ‘’Kosova nuk do ketë një Xhavit Ahmet tjetër!’’
Xhavit Ahmeti ka 24 punime shkencore, 27 kumtesa shkencore, 9 projekte shkencore dhe 8 tekste shkollore. Ndërsa, në veprimtarinë e tij si politikan, Xhavit Ahmeti ishte anëtar i LDK-së, duke pasur pozita udhëheqëse në degë e kryesi. Ishte edhe deputet i parlamentit në zgjedhjet e para presidenciale më 1992.
*Autoret janë studente të Fakultetit të Gazetarisë në UP