Është varrosur Qerim Çoçaj, personi që dje u godit nga kamioneta që humbi kontrollin në qendër të Gjilanit.
Ceremonia e varrimit është bërë me rite fetare në Gjilan.
Familja Çoçaj nga Gjilani e cila dje humbi familjarin e saj Qerim Çoçajn, ka shprehur gatishmërin për të shtrirë dorën e pajtimit, familjes Avdija nga Peja, djali i të cilëve dje qëlloi të ishte ngasës i kamionetës pronë e firmës ‘Uji i Pejës’, i cili shkaktoi aksidentin tragjik, ku për pasojë vdiq Qerim Çoçaj dhe u lënduan 27 persona të tjerë.
Lajmin për aktin burrëror për gatishmërinë e shtrirjes së dorës së pajtimit (e cila pritet të ndodhë) për Radio-portalin Njeshi, e konfirmoi Jusuf Avdijaj, djali i xhaxhait të Mustafë Avdijajt, (ngasësit të kamionetës nga e cila u shkaktua aksidenti tragjik dje në Gjilan).
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Gjilan ka paraqitur pasdite sot kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Gjilan ndaj shoferit të kamionit, të dyshuarit M.A. (Mustafë Avdija) nga Peja, i cili dje shkaktoi një aksident tragjik në Gjilan, për shkak të dyshimit të veprës penale “Rrezikim i trafikut publik”. /Njeshi/