Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve E.S. dhe A.B., për shkak të veprës penale ‘’Kontrabandim me migrantë’’, nga neni 170 paragrafi 1 lidhur me nenin 28 dhe 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, më 21 dhjetor 2018, në pikën kufitare Dheu i Bardhë, të pandehurit E.S. dhe A.B., në bashkëveprim, me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë financiar, kanë tentuar të kryejnë kontrabandim me migrantë, në atë mënyrë që paraprakisht i pandehuri A.B., kishte kontaktuar me të dëmtuarit L.T. dhe T.TH., për dërgimin e tyre në shtetet perëndimore, përkatësisht në shtetin e Zvicrës.
Për këto shërbime, i dëmtuari T.TH. duhej të paguante shumën prej 3,500 euro, ndërsa i dëmtuari L.M., të paguante shumën prej 4,000 euro, pasi që të arrinin në shtetin e Zvicrës.
I pandehuri A.B., në datën e lartshënuar, i kishte sjellë të dëmtuarit deri tek restorant ‘’Victoria’’, afër vendit të quajtur ‘’Crep’’, në Kamenicë, ku pastaj nga aty për në Serbi, i kishte shoqëruar i pandehuri tjetër E.S., por që në pikën kufitare Kosovë – Serbi janë hetuar nga policia e Kosovës dhe janë kthyer në Kosovë.
Me këto veprime, të pandehurit kanë kryer veprën e lartshënuar penale, e cila ka ngelur në tentativë.
Prokuroria, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit t’i shpallë fajtorë për këtë vepër penale dhe t’iu shqiptojë sanksion penal me të cilin do të arrihej qëllimi i dënimit.