Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti i Krimeve të Rënda, sot, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve G.V., S.K., G.E., F.V. dhe A.SH., të cilët gjenden nën masën e paraburgimit, që nga data 12 prill 2019.
Sipas aktakuzës, i pandehuri G.V., më 12 prill 2019, rreth orës 14h, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë pasurore, ka tentuar të kontrabandonte migrantë, në atë mënyrë që edhe pse ishte i informuar se të pandehurit F.V. dhe A.SH., nuk janë të pajisur me dokumente valide të udhëtimit, me veturën e tij, ka tentuar t’i transportonte në Itali, ku me rastin e kontrollimit në pikën kufitare ‘’Dheu i Bardhë’’ është konstatuar se të njëjtit posedonin dokumente të falsifikuara.
Në këtë mënyrë, i pandehuri G.V., ka kryer veprën penale ‘’Kontrabandimi me migrantë’’ nga neni 170 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Të pandehurit F.V. dhe A.SH., më 10 prill 2019, në një kafiteri në Suharekë, nga i pandehuri G.E., kanë blerë letërnjoftimet Italiane të falsifikuara, të dy në vlerë prej 2600 euro, me qëllim që të njëjtat t’i përdornin për udhëtim në shtetin e Italisë.
Me këto veprime, të pandehurit F.V. dhe A.SH., në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘’Falsifikim i dokumentit’’, nga neni 398 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Gjithashtu, edhe të pandehurit G.E. dhe S.K., në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘’Falsifikim i dokumentit’’, në atë mënyrë që fillimisht i pandehuri G.E., takohet me të pandehurit F.V. dhe A.SH., me qëllim që atyre t’ia sigurojë letërnjoftimet, ku edhe kanë biseduar rreth pagesës dhe nga ata ka marrë shënimet personale, me ç’rast të njëjtat dokumente ishin rregulluar nga i pandehuri S.K.
I pandehuri S.K., akuzohet edhe për veprën penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 374 paragrafi 1 të KPRK-së, pasi që pa leje adekuate ka mbajtur në pronësi armë zjarri, e cila është sekuestruar gjatë bastisjes.