Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë e paditësit Mustafë Grainca, duke e obliguar kryeparlamentarin Dimal Basha t’ia kompensojë 25 mijë euro dëmshpërblim në emër të shpifjes dhe fyerjes.
Basha është paditur nga Grainca- ish-zëvendësministër dhe biznesmen, për shpifje e fyerje në një artikull të shkruar në një portal dhe disa postime në Facebook.
Përmes vendimit të 22 korrikut 2025, Themelorja detyron Bashën ta tërheq shkrimin editorial të publikuar në një portal më 1 korrik 2019, si dhe shkrimet e datave 22 korrik 2019, 10 shtator 2019, 10 janar 2020, 22 janar 2020 dhe 20 janar 2020, të publikuara në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Gjithashtu, kjo Gjykatë e obligon kryeparlamentarin t’i kërkojë falje paditësit Grainca, duke premtuar se nuk do të përsërisë fyerjet.
“DETYROHET i padituri që t’i kërkoj falje publike paditësit, e cila duhet të bëhet në portalin ‘’I.’’ ku është bërë publike përmbajtja fyese dhe shpifëse si dhe në llogarinë e tij në rrjetin sociale ‘’Facebook’’, me premtimin se nuk do ta përsëritë fyerje të tilla dhe këtë në afat prej 8 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, nën kërcënimin e pasojave ligjore”, thuhet në vendim.
Shumën prej 25 mijë euro, Basha detyrohet ta paguajë me kamatë ligjore prej 8% nga dita e paraqitjes së padisë më 22 korrik 2019 deri në përmbushjen e plotë dhe atë në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi nën kërcënimin e pasojave ligjore- përmbarimit të detyrueshëm.
Basha detyrohet t’ia paguajë paditësit edhe shpenzimet e procedurës në shumën 2 mijë e 607 euro. Kurse, pjesa tjetër e kërkesëpadisë lidhur me kompensimin për shkak të shpifjes dhe fyerjes- vuajtjeve shpirtërore në lartësi prej 40 mijë euro, refuzohet si e pabazuar.
Fillimisht, Gjykata Themelore në Ferizaj më 28 korrik 2022 kishte nxjerrë aktgjykim me të cilin kishte refuzuar kërkesëpadinë e paditësit Grainca si të pabazuar.
Kundër këtij aktgjykimi, i autorizuari i paditësit kishte paraqitur ankesë brenda afatit ligjor, më pas Gjykata e Apelit më 25 nëntor 2024 e kishte aprovuar ankesën dhe ka prishur aktgjykimin e Themelores, duke e kthyer lëndën në rigjykim dhe rivendosje në gjykatën e shkallës së parë.
Themelorja në vendimin e marrë në rigjykim, thekson se artikulli i publikuar nga i padituri më 1 korrik 2019 në një medie online me titullin “Ferizaj, krimi dhe pushtetarët”, në tërësi shpreh shqetësimet dhe opinionet e një qytetari të Ferizajt (këtu të paditurit), lidhur me ndërtimet e larta ‘’ndërtimet e egra’’ dhe nga ky artikull në përgjithësi shihet se i padituri ka bërë një analizë të gjerë të gjendjes kaotike që sipas tij që po mbizotëronte në këtë Komunë. Por, po ashtu shihet se i padituri gjatë këtij shkrimi, ka apostrofuar tani paditësin me etiketime të ndryshme satirike, ironike dhe fyese.
“Ky nivel i debatit- opinionit publik nga i padituri kalon në sferën e shpifje dhe fyerjes dhe atë në këtë pjesë të deklaratës ‘’Përveq biznesit milionësh dhe talentit si zv. Ministër, ky supermen gjenë kohë të merr pagë edhe nga Komuna e Ferizajt, ku është në rolin e këshilltarit të Kryetarit të Komunës së Ferizajt. Pra ka role në të gjitha postet dhe paguhet për të gjitha ato nga taksapaguesit, derisa njëkohësisht ka biznese private milionëshe…’’, thuhet në vendim.
Aty thuhet se kryetari i Komunës përmes vendimit të 19 janarit 2018 kishte bërë të ditur se paditësi për punën e tij do të kompensohet nga paga e zëvendësministrit.
Kurse, në pjesën ku thuhet se ‘’ky supermen gjenë kohë të merr pagë edhe nga Komuna e Ferizajt’’, Themelorja thotë që shihet se Basha ka kaluar satirën politike duke përdorur si etiketim ironik për të vënë në dyshim mënyrën e si këtu paditësi përfiton nga ushtrimi i funksionit të tij dhe atë duke aluduar në përfitim nga dy pozita pagesë, duke e paraqitur si një zyrtar publik që përfiton nga i njëjti buxhet paga të ndryshme, si zhvatës të të mirave publike.
Në vendim, po ashtu thuhet se aludohet në pasurim të shpejtë pa bazë ligjore dhe të kundërligjshme.
Kurse, për postimet në Facebook, Themelorja gjen se në situata të caktuara paraqesin mllefin dhe reagime ad-hoc, ndaj një dukurie apo fenomeni të caktuar.
“… i padituri në pjesën më të madhe të shkrimeve që e ka bërë ndaj paditësit, del që ka qenë duke e mbajtur postin e Deputetit të Republikës së Kosovës dhe këto fyerje, shpifje dhe ofendime ndaj paditësit, në pjesë të caktuara të deklarimeve të tij, nuk do të binin ndesh me ligjin sikur të ishin bërë gjatë një debati politik në mes dy qeveritarëve, zyrtarëve publik apo deputetëve, por këto janë bërë nga një llogari personal në rrjetin sociale ‘’Facebook’’, e me ç’rast kanë kaluar nivelin e debatit publik dhe lirisë së shprehjes”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Ferizajt.
Postimet e Bashës në Facebook, Themelorja thotë se paraqesin ofendim dhe fyerje, duke goditur personalitetin e paditësit.
“… i padituri arrin deri në atë masë sa me terminologjinë e tij metaforike e inkriminon paditësin, duke e identifikuar si ‘’kriminel’’, ‘’mafi’’ (pjesëtare i grupeve kriminale), ‘’i korruptuar’’, pra këto janë akuza serioze që cenojnë drejtpërdrejtë integritetin e tij moral dhe profesional”, vlerëson kjo Gjykatë.
Në vendim thuhet se etiketimet, metaforat dhe shprehjet e përdorura nga Basha, kanë qenë sulm direkt ndaj Graincës.
Gjykata erdhi në përfundim se i padituri është përgjegjës për deklaratat e tij me përmbajtje fyese dhe se veprimi i tillë është në lidhje kauzale me dëmtimin e reputacionit të paditësit.
“Duke qenë se, i padituri, ka bërë deklarimet shpifëse dhe fyese në portalin ‘’I.” dhe në rrjetin personal “Facebook”, e mban përgjegjës këtu të paditurin, për shprehjet e përdorura dhe opinionet e shprehura në to dhe për këtë arsye, ka detyruar të paditurin që të tërheq deklarata e publikuar në artikullin e publikuar portalin “I.i” me datë 01.07.2019 si dhe të tërheq shkrimet e datave 22.07.2019, 10.09.2019, 10.01.2020, 22.01.2020 dhe 30.01.2020 të publikuar në llogarinë e tij në rrjetin sociale ‘’Facebook’’ si dhe të i kërkoj falje publike paditësit në të njëjtën mënyrë që ka shpërndar shpifje dhe fyerjen”, thuhet në vendim.
Gjykata erdhi në përfundim se shuma prej 25 mijë euro i shërben satisfaksionit moral për dëmtimin e reputacionit.
Themelorja ka refuzuar lartësinë e kërkesëpadisë së paditësit Grainca në shumën prej 40 mijë euro, pasi që ka marrë për bazë se pavarësisht faktit që kryeparlamentari është përgjegjës për fyerjen e personalitetit të paditësit, shuma e gjykuar si në pikën IV të dispozitivit të këtij aktgjykimi, paraqet satisfaksion të mjaftueshëm moral për dëmin e shkaktuar dhe se eventualisht gjykimi i një shume më të lartë, do të tejkalonte qëllimin e vet Ligjit, atë të vërtetimit të shpifjes dhe fyerjes.
Kundër këtij aktgjykimi është e lejuar ankesa në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit, në Gjykatën e Apelit përmes kësaj Gjykate.
Ndryshe, paditësi Mustafë Grainca më 22 korrik 2019 në Gjykatën Themelore në Ferizaj, përmes të autorizuarit të tij, ka paraqitur padi për shpifje dhe fyerje, kundër të paditurit Dimal Basha, me pretendimet se duke pasur parasysh aktivitetin biznesor të paditësit dhe funksionin e tij publik, më 1 korrik 2019, nëpërmjet një shkrimi editorial në një portal, e kishte fyer dhe kishte shpifur ndaj paditësit.
Në vendim thuhet se paditësi kishte publikuar artikullin me titull “Ferizaj, krimi dhe pushtetarët”, më 1 korrik 2019, dhe një sërë postimesh në Facebook, përmes të cilave ka shpifur dhe e ka fyer paditësin.
Kurse, i padituri Basha më 6 shkurt 2020, kishte paraqitur përgjigjje në padi, ku e kishte kontestuar si të pabazuar kërkesëpadinë e paditësit.