Pas një jave punë, aktorët e Teatrit të Gjilanit nuk kanë mundur t’i vazhdojnë provat më. Vështirësitë financiare kanë bërë që ata ta ndërprenë procesin për inskenimin e shfaqjes “Kërkuesit” me autor Zef Skiroin në regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt. Ishte planifikuar që shfaqja të jetë gati për festivalin tradicional “Flaka e janarit”. Por Komuna e Gjilanit u ka mbetur borxh 12 aktorëve të Teatrit. Ata ka pesë muaj që s’kanë marrë paga. Për këtë i kanë ndërprerë provat në ditën e 27-të të muajit dhjetor, fiks një javë pasi i kishin nisur ato.
Përderisa menaxhmenti i Teatrit gjendjen nuk e përshkruan si shumë problematike, Komuna planifikon që brenda muajit ta zgjidhë kjo çështje. Aktorët e Teatrit punojnë me marrëveshje për shërbime të veçanta. Në këtë të fillimit ende nuk kanë lidhur këto lloj kontratash.
Aktori Avni Shkodra ka thënë se e kanë pasur të pamundur t’i vazhdojnë provat.
“Na kanë mbetur borxh për pesë muajt e fundit të vitit të kaluar. U detyruam t’i ndërpremë provat pasi jemi në minus. Nuk kemi motiv e as mundësi financiare t’i vazhdojmë provat”, ka thënë Shkodra. Ai së bashku me kolegët paguhen nga 380 euro në muaj. Pagë neto i bie të marrin nga 345 euro.
Ndërprerjen e provave e ka konfirmuar edhe regjisorja Blerta Rrustemi-Neziraj. Ajo ka thënë se një gjë e tillë është bërë me kërkesë të aktorëve. Por gjendjen më relative e ka përshkruar regjisori Erson Zymberi, i cili nga maji i vitit të kaluar është zgjedhur drejtor i përgjithshëm i Teatrit të Gjilanit. Ai ka thënë se qysh kur e ka marrë pozitën, Komuna u ka pasur borxh aktorëve.
Arbër Ismajli është shef i kabinetit të kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri. Ai ka thënë se për vitin e kaluar kemi ndarë 100 mijë euro dhe Teatri ka mbyllur shumë obligime/Shaban Maxharraj./koha/