Sot, në ambientet e “AKV Gjilani”, u organizua një ceremoni festive për të shënuar fundvitin dhe për të nderuar të gjithë ata që kanë kontribuar në aktivitetet e ansamblit gjatë vitit.
Në këtë ngjarje u ndanë mirënjohje për individët dhe grupet që kanë luajtur një rol të rëndësishëm në sukseset dhe zhvillimin e “AKV Gjilani”, duke vlerësuar përkushtimin dhe angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm ndaj kulturës dhe traditave të qytetit.
Ceremonia ishte një moment i veçantë për të falënderuar dhe për të njohur ata që kanë dhënë një kontribut të çmuar në ruajtjen dhe promovimin e artit dhe muzikës tradicionale.
Ky është postimi:
Sot, me rastin e fundvitit, në cilësinë e kryetarit të “AKV Gjilani”, pata kënaqësinë të shpërndaja mirënjohje për të gjithë anëtarët e ansamblit, si dhe për disa personalitete të shquara që kanë kontribuar në mbështetje të aktivitetit tonë gjatë vitit të kaluar.
Shpërndamë mirënjohje për Kryetarin e Komunës së Gjilanit, Z.Alban S. Hyseni , si dhe Drejtorin për Rini, Kulturë dhe Sport, Z. Kushtrim Zeqiri, për angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme që ata kanë dhënë për Ansamblin “AKV Gjilani”. Kjo mbështetje ka qenë thelbësore për zhvillimin e aktiviteteve tona dhe ka kontribuar në përparimin e kulturës dhe artit në qytetin tonë.
Po ashtu, një mirënjohje e veçantë iu dha edhe Kryetarit të degës së AAK-së në Gjilan, Z. Nazim Gagica, për angazhimin dhe mbështetjen e tij të pakursyer ndaj aktiviteteve tona kulturore. Kontributi i tij ka qenë shumë i vlefshëm për realizimin e projekteve të ndryshme dhe për forcimin e lidhjeve me komunitetin.
Në fund të shpërndarjes së mirënjohjeve, së bashku me të gjithë mysafirët, u bashkuam në një koktej rasti të organizuar, ku pati momente të këndshme e bashkëpunuese, duke reflektuar për vitin që po mbyllej dhe duke shprehur mirënjohje për gjithçka që arritëm së bashku.
Në emër të Ansamblit “AKV Gjilani”, ju falënderoj të gjithëve për angazhimin dhe mbështetjen dhe shpresoj që vitet e ardhshme të jenë po aq të suksesshme për artin dhe kulturën tonë.