Sipas shënimeve zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vendi ynë po zvogëlohet për numër të popullsisë dhe ai është reduktuar për 350.000 veta. Sipas njohësve të kësaj fushe dhe qytetarët, kjo duhet të alarmojë institucionet tona, sepse nëse vazhdon ky trend, pas 5 apo 10 vjetësh, numri i banorëve që do të ketë Kosova do të jetë përgjysmë më i vogël.
“Sot, në Kosovë jetojnë me vështirësi, përveç atyre që janë të lidhur në krim, dhe çdo këshillë që i jepet një të riu është të largohet nga Kosova, ndryshe këtu do të jetë vetëm një i torturuar. Kjo dinamikë e ikjeve do të vazhdojë që të rritet dhe brenda pesë vjetëve të ardhshme Kosova me këtë temp do të jetë një vend, i cili do të mund të përjetojë fiasko humane, punëtore dhe ekonomike. Faji është te pjesa e popullit të shitur, që janë bërë mbrojtësit kryesorë të klasës politike dhe pjesa tjetër, e cila hesht. Është e kotë çdo përpjekje për të ndryshuar vendin, derisa nuk ka ndëshkim gjeneratash, si në Gjermaninë Perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore”, thotë analisti Gurakuç Kuçi për gazetën “Kosova Sot”.
Sipas shënimeve zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vendi ynë po zvogëlohet për numër të popullsisë dhe ai është reduktuar për 350.000 veta. Sipas njohësve të kësaj fushe dhe qytetarët, kjo duhet të alarmojë institucionet tona, sepse nëse vazhdon ky trend, pas 5 apo 10 vjetësh, numri i banorëve që do të ketë Kosova do të jetë përgjysmë më i vogël.
Përfaqësuesi i OJQ-së Demokracia Plus, Jetmir Bakia, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se numri i lindjeve ka rënë nga viti në vit edhe për faktin se ka pasur migrim të popullsisë në vendet evropiane e gjetiu. Sociologu Fadil Maloku, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se në Kosovë sentenca e idiomës apo “shpëlarjes së trurit”, që ndryshe në politikën paramode shquhej dhe identifikohej pak a shumë si” indoktrinim” e si “përpunim politik”, është duke marrë dimensione të një fatpajtimi të çuditshëm dhe pothuajse irracional.” E themi irracional dhe fatpajtues, për shkakun se “skalpeli” ynë sociologjik e ka pak si vështirë ta imagjinojë politikën që me dy dekada demokracie e tendence shtetndërtimi, nuk arriti bile njëherë ta fusë në agjenda nacionale luftimin e kriminalitetit, korrupsionit, pabarazisë papunësisë dhe varfërisë ekstreme. Ndaj, në cilëndo shoqëri evropiane, këta parametra e tregues socio-ekonomik, do të ishin definitivisht shenja alarmuese për kolapsimin dhe bankrotimin e shtetit! Duket, që këtë lëmsh të kësaj tendence bankrotuese, do ta paguajmë me “internim” dhe ikje masive nga vendi, menjëherë sapo të lejohet liberalizimi i vizave”, është shprehur Maloku.
Maloku: Ky zhgënjim vjen nga keqqeverisja
Maloku pyet se kujt i duhet një Kosovë e tillë. “Heqja dorë nga “shtetësia e Kosovës”, është edhe një indikator i fuqishëm shtesë, se gjeneratat e reja duke qenë të “burgosura” kolektivisht, janë frustruar aq shumë, ndaj nuk e kanë më ngarkesën e të qenit “shtetas” i Republikës së Kosovës. Dhe, gjithë ky zhgënjim dhe frustrim vjen mu nga keqqeverisja, mashtrimi dhe manipulimi sistematik i kësaj dhe të tjerave qeveri. Ngase, nuk mundesh sot në kohën e digjitalizimit të informatave, t’i gënjesh këto gjenerata”, është shprehur Maloku. Ai shton se është absurd dhe e pakuptueshme, që të manipulosh që pesë vjet me temën e liberalizimit të vizave dhe lirisë së qarkullimit! “Gjeneratat e sotme janë shumë më praktike dhe pragmatike, kur janë në pyetje realizimi i detyrimeve dhe obligimeve ndaj vetes së tyre, dhe familjes. Ato sot në pamundësi të gjetjes se një perspektive në punësim, shkollim e shërbime të tjera të mekanizmave shtetëror, obligohen të mos zgjedhin rrugë për t’i realizuar ambiciet e tyre. Andaj, heqja e tyre nga shtetësia improvizuese, ata i obligon që të realizohen, aty ku respektohet puna dhe shkollimi i tyre… Këto gjenerata duket që kanë filluar t’i fitojnë “betejat” e rrenave dhe mashtrimeve politike. Çështja, është vetëm se a do të mund ta fitojnë edhe luftën”, është shprehur Maloku.
SHKODRA: QYTETARËT IKIN NGA KY PUSHTET
“Krejt organizimi dhe veprimtaria e qeverive tona, jo vetëm të Kosovës, është tërësisht negativ në çdo fushë të jetës së përditshme.Sot ikin qytetarët tanë, të cilëve ua ka vështirësuar jetën qeveria jonë dhe jo vetëm njëra, por që nga fillimi i pasluftës.Tash ikja nga pushteti bëhet me vullnetin e këtyre qytetarëve, vetëm që të mos kenë punë me këto institucione, të cilat nuk sjellin barazi në mbrojtje, punësim, arsimim, etj.Edhe ata që nuk kanë kurrfarë pune, por edhe ndonjëri që është i punësuar nuk është i kënaqur me të ardhurat e tij dhe familjare.Nuk ka sigurim fizik, shëndetësor, nuk ka shkollim të mirëfilltë për gjeneratat e reja, e një mori mangësish.Ata kërkojnë një jetë të rehatshme, të siguruar fizikisht e materialisht.Indeksi i të gjitha këtyre të këqijave na del përpara regjistrimi i banorëve shqiptarë me mungesë rreth 350 000 mijë frymë. Pra, si duket, gjatë kohës së luftës kishte pasur ikje të plota familjare, por edhe pas luftës nuk po ndalen.Ky trend po të vazhdojë kështu, pas dhjetë pesëmbëdhjetë vjetëve do të përgjysmohej edhe më numri i banorëve, në mos mbetej në një minimum, si një pakicë”, theksoi për gazetën “Kosova Sot”, Shefik Shkodra.
KUÇI: TË RINJVE ÇDO ALTERNATIVË PËR TË JETUAR U KA DËSHTUAR
Politologu Gurakuç Kuçi për gazetën “Kosova Sot” thotë se Kosova që 20 vjet është e zhytur në debate të njëjta politike, brenda të njëjtëve njerëz pa ofruar asnjë alternativë dhe pa lejuar që dikush të ofrojë alternativa. Sipas Kuçit, më e keqja është se këtë po e vuajnë të rinjtë, të cilët tashmë kanë provuar çdo alternativë për të jetuar në Kosovë dhe u ka dështuar.
Qytetarët: Në Kosovë do të mbesin vetëm kasta e pushtetarëve me të afërmit e tyre
Qytetarët e anketuar, ndërkaq, po alarmojnë se do të ketë përgjysmime të popullatës rezidente në Kosovë për një dekadë. Edhe ata janë të shqetësuar sepse sipas shënimeve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës numri i banorëve rezidentë u zvogëlua për rreth 350.000 veta. Qytetari nga Prishtina Islam Velija, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se ta shikosh hollë punën sot në Kosovë tema më trishtuese te ne është migrimi dhe zvogëlimi i natalitetit që vjen si pasojë e një trendi që është krijuar tek familjarët që mos të ketë më shumë se dy fëmijë dhe sidomos migrimi. “Madje, 20 vjet pas çlirimit opsioni i vetëm për qytetarët e këtij vendi, e sidomos rininë tonë si pjesa më vitale e popullatës, alternativë e vetme ka mbetur që të ikin jashtë vendit”, është shprehur ai. Sipas Veliajt, kjo është trishtuese si temë, sepse në Kosovë akoma nuk ka filluar trendi i zhvillimit të vendit, ndonëse pushtetarët tanë po e proklamojnë se sivjet pati një rritje ekonomike 3 për qind ose 4 për qind, ndërkohë që kjo në realitet nuk po shihet askund. Ndërsa, qytetari tjetër nga Prishtina, Shemsi Muçiqi, për gazetën “Kosova Sot” thotë se rënia për 350 mijë veta e numrit të popullatës së Kosovës që janë rezidentë është një tragjedi kombëtare dhe këtë dhuratë e kemi nga pushtetarët tanë që po e sundojnë Kosovën, sepse kemi të bëjmë me një pushtet kriminal që mendon vetëm për vete. “Prandaj, jam shumë i bindur se brenda 10 vjetësh në Kosovë popullsia do të zvogëlohet mbi 50 për qind”.
Sipas Muçiqit, në Kosovë do të mbesin vetëm kasta e pushtetarëve me të afërmit e tyre dhe familjarët si dhe militantët dhe simpatizantët e partive politike me larot e tyre që e shkaktuan këtë ikje masive të qytetarëve tanë. “Të gjitha agjendat e qeverisë janë fokusuar si ta largojnë këtë popullatë të Kosovës, sepse ata duan që në Pashallëkun e tyre të sundojnë mbi vetëm 20 për qind të popullatës që të jetojnë këtu, ndërsa për pjesën tjetër të qytetarëve që nuk janë të afërm dhe familjarë të tyre dhe që nuk janë militantë të partive të tyre ata as që e qajnë kokën”, është shprehur ai. Sipas Muçiqit, e vetmja alternativë për vendin mbeten protestat e qytetarëve tanë. “Kosova ka nevojë për një revolucion paqësorë e për parti të reja politike, që mendojnë për popullin e jo vetëm për veten e tyre. Prandaj, e them lirshëm se asnjë deputet nuk meritojnë rrogën e tyre”, ka theksuar ai.
(Kosova Sot)