Gjykata Supreme, Dhoma e Posaçme ka vendosur masë të përkohshme me çka i jep ndërmarrjen “Agrokosova” nën menaxhim biznesmenit Haziz Tafaj.
Tafaj, një biznesmen nga Suhareka me këtë vendim mund ta kthehet në menaxhim të ndërmarrjes të hënën, ani pse atë ia mori AKP-ja muaj më parë, derisa me hetimet penale që janë zhvilluar ndër vite ndaj tij ai ka imazhin e njërit nga mashtruesit më të famshëm në vend.
Në njoftimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Hazizi Tafa përshkruhet si njeri shumë i rrezikshëm duke hedhur dyshime tek ai se ka vjedhur mijëra euro gjatë kohës sa kishte nën menaxhim “Agrokosovën”.
“Bazuar në raportet e auditorëve të jashtëm, vërtetohet qartë se Blerësi dhe Ndërmarrja e Re Agrokosova Holding sh.p.k. kanë bërë shkelje të rëndë të kushteve të kontratës, respektivisht nenit 6.2.2.a të Marrëveshjes së Zotimeve për shkak se as nuk kanë përmbushur zotimet për investime e as nuk kanë përmbushur zotimet për punësime.
Përpos tjerash , Blerësi ka dëmtuar dhe ulur vlerën e ndërmarrjes me anë të përfitimit jo ligjor kur është bërë shpronësimi i disa parcelave të ndërmarrjes nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndërtimin e autostradës për Vermicë. Me këtë rast mjetet e shpronësimit në vlerë prej rreth 630,000.00 Euro janë transferuar në llogarinë personale të njërit prej aksionarëve të “QMI” në Bankën TEB dhe jo në llogarinë e ndërmarrjes”, thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë:
KOMUNIKATË PËR MEDIA
Njoftim publik për vendimin e gjykatës për masën e përkohshme për Agrokosovën
– kthimi nga administrimi publik te administrimi privat
Prishtinë – Më 24 maj 2022, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka pranuar Aktvendimin nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme në të cilën cilën me shumicë votash është vendosur masë e përkohshme ndaj vendimit të Bordit të AKP-së për tërheqjen e aksioneve dhe vendosjen e Ndërmarrjes së Re Agrosova nën Administrim Direkt të AKP-së deri në vendimin përfundimtar të shqyrtimit të padisë së ish-blerësit të Agrokosovës.
Me këtë përkohësisht është vendosur që një pronë me interes publik për zhvillimin ekonomik të Kosovës të largohet nga administrimi i një institucioni shtetëror siç është AKP-ja dhe të kthehet nën administrim të palës private.
AKP i respekton në tërësi vendimet e gjykatës, por është jashtëzakonisht e befasuar me vendimin e gjykatës dhe se dëshiron të njoftoj publikun e gjërë dhe të gjitha palët e interesit, se kjo është hera e parë që nga themelimi i AKP-së dhe ish-AKM-së, që për vendimet e Bordit të AKP-së për tërheqjen e aksioneve për arsye të shkeljeve të kontratave të privatizimit me spin-off special, që një pronë largohet me vendim të gjykatës nga administrimi publik dhe bartet nën administrim privat.
AKP-ja është urdhëruar që të bëj pranim-dorëzimin e ndërmarrjes, prandaj në frymën e kësaj dhe nën respektim të vendimeve të Gjykatës, planifikon ta bëj pranim-dorëzimin më 30 maj 2022 në ora 11 në objektet e Agrokosovës.
Me qëllim të njoftimit të drejtë, të vërtetë dhe të plotë, AKP njofton publikun e gjerë dhe të gjitha palët e interesit se vendimet e Bordit të Drejtorëve të Agjencisë të datës 31 janar 2022 për tërheqjen e aksioneve dhe vendosjen e ndërmarrjes Agrokosova nën Administrim Direkt të AKP-së janë marrë në përputhje të plotë me ligjin dhe bazuar në 5 (pesë) auditimet e jashtme të pavarura, të cilat auditime kanë vërtetuar përtej çdo dyshimi se brenda tërë periudhës sa ka zgjatë afati për përmbushjen e zotimeve për investime dhe punësime nga viti 2007 deri prill 2017, ish blerësi nuk i ka përmbushur zotimet sipas kontratës se shitblerjes se kësaj ndërmarrje. Investimet e zotuara janë përmbushur 85.6%, ndërsa punësimet e zotuara janë realizuar vetëm 24.5% . Me tërheqjen e aksioneve të kësaj ndërmarrjeje, AKP e ka mbrojtur interesin publik të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Për më tepër, përveç shkeljeve të kontratës të cilat janë konstatuar me anë të raporteve të jashtme të auditimit, pas vendosjes nën administrim direkt të AKP-së dhe pas verifikimit të dokumentacioneve, është vërtetuar se ish-blerësi ka bërë shkelje tjera shumë serioze të kontratës për shkak se ka dhënë me qira hapësira të tokës mbi 500 hektarë, ne periudha deri njëzet (20) vjet palëve tjera private pa lejen e AKP-së. Sipas kontratës së shitjes, asnjë prej aseteve të ndërmarrjes nuk mund të jepet me qira pa lejen e Bordit të Drejtorëve të AKP-së, përderisa kontrata ka qenë nën monitorim të AKP-së.
Për më tepër, ka dyshime të bazuara se ish-blerësi ka shitur me anë të kontratave joligjore sipërfaqe të ndryshme të tokave e të cilat assesi nuk ka mundur t’i realizoj pa lejen e Agjencisë.
Prandaj, është evident rreziku i mëtejmë që pas kthimit të administrimit të kësaj prone në emër të palës private, do të vazhdohet me veprimet e mëtejme për tjetërsimin e pronave të Agrokosovës apo edhe të jepen me qira hapësira të mëdha tokësore në periudha shumëvjeçare. AKP nuk mban asnjë përgjegjësi për këto shkelje eventuale për shkak se i është pamundësuar përkohësisht administrimi i kësaj ndërmarrjeje.
Ne i bëjmë thirrje gjykatës që në afat sa më të shpejtë të trajtoj padinë e palës ndaj AKP-së dhe që të merret vendimi meritor në interes të publikut dhe pronës shoqërore, kjo pra nënkupton që të refuzohet padia e ish-blerësi dhe të vërtetohet si i ligjshëm vendimi i Agjencisë për kthimin e aksioneve të Ndërmarrjes së Re Agrokosova.
Në të njëjtën kohë i bëjmë thirrje organeve të zbatimit të ligjit të hetojnë dyshimet e AKP-së për tjetërsimin e pronave të Agrokosovës.
Informatat e përmbledhura pas vendosjes së Ndërmarrjes Agrokosova nën administrim direkt:
Me qëllim të njoftimit të plotë të publikut, më poshtë janë hapat dhe aktivitetet që AKP ka ndërmarrë pas vendosjes së Agrokosovës nën administrim direkt të AKP-së.
Pas vendosjes së Ndërmarrjes Agrokosova nën administrim direkt të AKP-së, duke u mbështetur në ligjin e AKP-së dhe politikat operacionale të AKP-së, me qëllim të rritjes së vlerës dhe menaxhimit më të mirë të ndërmarrjes, u ndërmorën masat e menjëhershme si në vijim:
Janë njoftuar te gjitha institucionet përkatëse për kthimin e aksioneve dhe marrjen e kontrollit ne Ndërmarrje;
Emërimi i Bordit të Përkohshëm Menaxhues te Ndërmarrjes;
Emërimi i Drejtorit të Përkohshëm te Ndërmarrjes;
Regjistrimi i aseteve të Ndërmarrjes në një raport 44 faqësh në të cilën komisioni pesë anëtarësh ka bërë verifikimin dhe regjistrimin e të gjitha aseteve (asetet e luajtshme, të paluajtshme, inventarit, gjysmë produkteve, produktet e gatshme, stokun, etj).
Ruajtja dhe monitorimi i aseteve të Ndërmarrjes;
Është bërë pagesa e rregullt e pagave të punëtorëve;
Inspektimi i dokumenteve te ndryshme, kryesisht kontratave te qirase;
Aktivitetet e nevojshme për ruajtjen e prodhimit: është bërë kitja e vreshtave; Lëvrimi i hapësirave në vreshta; Lidhja e vreshtave; Plehërimi i vreshtave nëpër zona vreshtare; Spërkatja e vreshtave me pesticide.
Informatat themelore lidhur me shitjen, investimet dhe punësimet:
Me qëllim të njoftimit të plotë të publikut, këtu bëhet një përmbledhje lidhur me kontratën e shitjes, zotimet për investimet dhe punësimet si dhe dështimin e blerësit në përmbushjen e atyre zotimeve që vet i ka ofertuar gjatë procesit të tenderit publik të vitit 2007.
NSH “NBI Suhareka/Agrokosova Holding”- është privatizuar më datën 27 gusht 2007 nga Blerësit “Gruppo Vinicolo Fantinel” dhe “QMI” përmes metodës së Spin Off-it Special në valën e 19-të të shitjes në vlerë prej 4,175,999.00 Euro.
Zotimet e kontraktuara (nga blerësi dhe Ndërmarrja e Re Agrokosova Holding) në këtë kontratë kanë qenë si në vijim:
Zotimet për Investime: 8,600,000.00 Euro; Sipas Marrëveshjes së Zotimeve, tek pika 2, zotimet për investime kapitale, blerësi zotohet se ndërmarrja do të investoj minimum 8,600,000.00 Euro në investime kapitale brenda periudhës 2 vjeçare.
Zotimet për Punësim: Sipas pikës 3 të Marrëveshjes së Zotimeve, tek zotimi për punësim, blerësi zotohet se:Gjatë vitit të parë:
3.1.1. Të punësoj minimum 172 punëtorë për 6 muajt e parë;
3.1.2. Të vazhdoj punësimin e këtij numri të punëtorëve deri në 1 vit;
Gjatë vitit të dytë:
3.2.1. Të punësoj minimum 345 punëtorë;
3.2.2. Të vazhdoj punësimin e këtij numri të punëtorëve deri në fund të periudhës së zotimit.
Si rezultat i mos përmbushjes së Marrëveshjes së Zotimeve, AKP nga viti 2011 deri në vitin 2013 i ka lëshuar Blerësit ndëshkimet financiare në vlerë prej 3,579,997.53 Euro, për të cilat ndëshkime Blerësi ka bërë ankesë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme (DHPGJS). Ende nuk ka vendim përfundimtar të DHPGJS për këtë rast gjyqësor. Që nga fillimi i periudhës së zotimeve e deri në shtator 2019, në Ndërmarrjen e Re “Agrokosova Holding” janë realizuar pesë auditime të jashtme nga Auditorë të pavarur. Sipas tyre:
Blerësi dhe Ndërmarrja e Re Agrokosova kanë bërë shkelje të rëndë të kushteve të kontratës, sepse zotimin për punësime e kanë përmbushur vetëm 24.67% të zotimit të punësimit përgjatë tërë periudhës së zotimeve, pra nga viti 2007 e deri më 15 prill 2017. Punësimet e verifikuara nga auditorët e jashtëm kanë qenë 759 punëtorë (përgjatë tërë periudhës së zotimeve të shpërndarë nëpër vite) nga numri prej 3,075 punëtorëve të zotuar për punësime sipas kontratës.
Në anën tjetër, shkelje e kontratës është edhe fakti se edhe zotimin për investime e kanë përmbushur vetëm në 85.79% të zotimit për investime përgjatë tërë periudhës së zotimeve, pra nga viti 2007 e deri më 15 prill 2017. Investimet e verifikuara nga auditorët e jashtëm kanë qenë EUR 7,378,005.82 nga vlera prej EUR 8,600,000.00 të zotuara sipas kontratës.
Bazuar në raportet e auditorëve të jashtëm, vërtetohet qartë se Blerësi dhe Ndërmarrja e Re Agrokosova Holding sh.p.k. kanë bërë shkelje të rëndë të kushteve të kontratës, respektivisht nenit 6.2.2.a të Marrëveshjes së Zotimeve për shkak se as nuk kanë përmbushur zotimet për investime e as nuk kanë përmbushur zotimet për punësime.
Përpos tjerash , Blerësi ka dëmtuar dhe ulur vlerën e ndërmarrjes me anë të përfitimit jo ligjor kur është bërë shpronësimi i disa parcelave të ndërmarrjes nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndërtimin e autostradës për Vermicë. Me këtë rast mjetet e shpronësimit në vlerë prej rreth 630,000.00 Euro janë transferuar në llogarinë personale të njërit prej aksionarëve të “QMI” në Bankën TEB dhe jo në llogarinë e ndërmarrjes.