Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka bërë thirrje Qeverisë të ndihmojë Vitinë. Ka thënë se ende asnjë ndihmë nuk i ka ardhur këtij qyteti nga niveli qendror.
Ka kritikuar qasjen e Ministrisë së Shëndetësisë, ka thënë se Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitija, as që e ka kontaktuar.
“Ka vend për mobilizim. Kemi nevojë për ndihmë. Kemi mbet vet pa ndihmën e nivelit qendror. Asgjë s’na kanë ndihmuar. Nuk kemi nevojë për fjalime politike. Qytetarët kanë nevojë për ndihmë. Kemi nevojë për koordinim”, ka thënë Haliti për media.
Së fundmi, në Viti është konfirmuar edhe rasti i dytë me koronavirus.
Kryetari i Vitisë ka thënë se po kërkon veprime konkrete nga Qeveria. “Na duhen pajisje dhe staf mjekësor. Nuk është në rregull që institucionet komunale me mbet të vetmuar”, ka shtuar ai.
“Do ta dalin edhe shumë të tjerë me këtë virus”.
“Nuk duhet të krijojmë panik. S’ka mundësi të ketë preventivë pa pajisje”.
Kryetari Haliti, pas paraqitjes të rastit të parë me koronavirus i ka dërguar një letër Qeverisë së Kosovës duke kërkuar ndihmë.
Ai ka kërkuar mbështetjen e institucioneve qeveritare për ta përballuar situatën e fundit të krijuar pas rastit me koronavirus në Viti, komunë kjo në karantinë.
Haliti shkruan se Vitia ka nevojë për stafë mjekësor dhe mjete mbrojtëse, dhe ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë të veprohet sa më shpejt për këtë komunë që të mbrohet nga përhapja e koronavirusit, përcjellë Plus Tv.