Edhe pse dje Agim Ademi shpalosi programin edhe për një tjetër mandat në krye të Federatës së Futbollit të Kosovës në Kuvendin e thirrur për datën 6 prill nga ai dhe Komiteti Ekzekutiv, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) vazhdon të insistojë se ky Kuvend është i parregullt, pasi nuk është i thirrur bazuar në Ligjin e Sportit dhe statutin e FFK-së.
Ditë më parë, Departamenti Ligjor i MKRS-së nxori një opinion ligjor përmes të cilit Ministria e njoftoi FFK-në që po e shkel statutin e saj dhe Ligjin e Sportit me mënyrën se si e ka thirrur Kuvendin e 6 prillit.
Sidoqoftë, FFK-ja nuk e mori parasysh këtë opinion ligjor. Por, ushtruesi i detyrës së drejtorit në Departamentin e Sportit në MRKS, Fikret Shatri, në emisionin “Kampionët” ka thënë se ky departament ka konstatuar shkelje ligjore nga ana e FFK-së kur kjo e thirri Kuvendin për datën 6 prill.
Sipas Shatrit, FFK-ja e ka shkelur Ligjin e Sportit dhe statutin e vet.
“Vendimi i Departamentit Ligjor është 100% profesional. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është institucioni kryesor që mbron ligjshmërinë në sport. Nga MKRS tashmë ka dalë opinioni ligjor përmes të cilit janë konfirmuar shkelje flagrante që janë bërë me thirrje të Kuvendit nga FFK-ja. Ligji i sportit është shkelë në mënyrë drastike dhe statuti i Federatës duhet me qenë i harmonizuar konform Ligjit të Sportit, statutit të UEFA-s, statutit të FIFA-s dhe të Komitetit Olimpik”.
Shatri tutje tha se Ministria është për zbatimin e Ligjit të Sportit dhe nuk ka autoritet me ndërhy në Federatë, përveçse të kërkoj zbatimin e Ligjit të Sportit.
“Nëse MKRS nuk e mbron zbatimin e Ligjit të Sportit në sport, nuk e di çfarë të them tjetër. Nuk kam koment.
Absolutisht nuk ka të bëj me përzierje të MKRS-së dhe politikës në Federatë dhe futboll, thjesht është çështje e zbatimit të ligjit. Federatat janë të obliguara ta respektojnë Ligjin për Sport”.
Fikret Shatri gjithashtu tha se nëse FFK-ja apo një Federatë tjetër shkelë Ligjin e Sportit, mund të mos licencohet. Por, Shatri tha se shpreson se kjo mos të ndodhë.
“Kur shkelët Ligji i Sportit, më e keqja që Federatës mund t’i ndodhë është që t’i hiqet licenca nga MKRS. Kur hiqet licenca nënkupton se Federata nuk mund të organizojë më gara. Nuk besoj se ka ndonjë njeri të krisur që dëshiron të vije puna deri këtu”.
Ndaj deklaratave të Shatrit reagoi trajneri i futbollit, Faruk Statovci, i cili tha se Ministria nuk mund të ndërhy në Federatë.
“MKRS nuk mundet me ndërhy në Federatë. UEFA do ta monitorojë Kuvendin e 6 prillit. Nëse ky Kuvend do të ishte i parregullt, UEFA nuk do të vjen me monitoru”.