Alban Beqiraj është emëruar Këshilltar Politik në kabinetin e Ministrit të Infrastrukturës, z. Dimal Basha, duke sjellë me vete një përvojë të gjerë profesionale në menaxhim financiar, sektorin bankar dhe administratë publike.
I diplomuar në Ekonomi, Beqiraj ka ndërtuar një karrierë të konsoliduar brenda dhe jashtë vendit, me angazhim në projekte financiare ndërkombëtare në Afganistan, Irak dhe Poloni, në kuadër të iniciativave të mbështetura nga ushtria amerikane. Përvoja e tij ndërkombëtare ka përfshirë mbikëqyrje financiare dhe menaxhim të projekteve me standarde të larta profesionale.
Në Kosovë, ai ka ushtruar detyrën e zyrtarit të lartë për korporata në sektorin bankar, duke kontribuar në menaxhimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve me bizneset dhe institucionet financiare. Gjithashtu, ka shërbyer si mbikëqyrës financiar në projekte ndërkombëtare, duke dëshmuar ekspertizë në analiza ekonomike dhe administrim të fondeve.
Së fundmi, Beqiraj ishte pjesë e kabinetit të Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku u angazhua në çështje të koordinimit institucional dhe mbështetjes së proceseve vendimmarrëse.
Me përvojën e tij në menaxhim financiar, analiza ekonomike dhe administratë publike, Alban Beqiraj pritet të japë kontribut të rëndësishëm në avancimin e politikave dhe realizimin e projekteve strategjike në sektorin e infrastrukturës./Radio Star/

