Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shtunën ka nisur publikimin e votave nga diaspora, atyre me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta. Në disa komuna veçse ka përfunduar procesi i numërimit të votave me postë.
Në Gjilan nga votat e diasporës, kur janë numëruar 85.71%, Alban Hyseni i Lëvizjes Vetëvendosje ka marrë 687 vota, ndërsa Arbër Ismajli i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka marrë 482 vota.
Komuna e Gjilanit me shumë gjasë do të shkojë në balotazh, edhe pse Hyseni ishte shumë afër ta kryente në raundin e parë. Ka mbetur numërimi i votave me kusht dhe personave me nevoja të veçanta.
Sipas rezultateve preliminare, Hyseni në total, bashkë me votat e diasporës, ka 21.463 vota apo 49.79%, ndërsa Ismajli i LDK-së ka 14.761 vota apo 34.24%.