Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, është shprehur optimist për mandatin e ardhshëm qeverisës, duke theksuar se katër vitet e ardhshme do të sjellin rezultate edhe më të mira për qytetin, pavarësisht sfidave me të cilat është përballur deri më tani.
Hyseni ka vlerësuar se, megjithë pengesat që, sipas tij, kanë ardhur nga opozita përfshirë mosvotimin e buxhetit komunal, qeverisja aktuale ka arritur të realizojë një pjesë të madhe të zotimeve të bëra.
“Gjilani do të jetë edhe më i zhvilluar në vitet në vijim. Edhe pse opozita ka tentuar ta pengojë punën tonë përmes refuzimit të projekteve kyçe, qytetarët tashmë shohin rezultatet konkrete dhe e dinë se kanë një alternativë të qëndrueshme dhe të besueshme në drejtimin e qytetit,” tha Hyseni.
Ai shtoi se mandati i ardhshëm do të fokusohet në zbatimin e projekteve të mëdha për transformimin urban, zhvillimin e infrastrukturës dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për banorët.
“Qytetarët kanë qenë gjithmonë prioriteti ynë. Ne do të vazhdojmë me projekte që e bëjnë Gjilanin një vend më të mirë për të jetuar,” përfundoi kryetari i komunës.