Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, në përmbyllje të mandatit të tij katërvjeçar ka prezantuar një përmbledhje të punëve dhe projekteve të realizuara, të cilat, sipas tij, kapin vlerën mbi 45 milionë euro.
Në një mbledhje të fundit të bordit, Hyseni ka veçuar disa nga projektet kryesore që, sipas tij, kanë transformuar qytetin dhe kanë sjellë një qasje të re në qeverisje:
Rrjeti i ujësjellësit – projekti FLOWS: 15 milionë euro
Stadiumi i Qytetit: 13 milionë euro
Banimi i përballueshëm dhe social: 4.5 milionë euro
Arsimi: 3.3 milionë euro në Shkollën e Mjekësisë dhe mbi 3 milionë euro në çerdhe të reja
Bujqësia: mbi 2.8 milionë euro investime gjatë viteve 2022–2024
Renovimi i Palestrës së Sportit: 2.8 milionë euro
Qendra ditore për të moshuar, kuzhina humanitare dhe bujtina për studentë: 2.5 milionë euro
Rruga Hamdi Kurteshi: 2.4 milionë euro
Shëndetësia dhe Mirëqenia Sociale: mbi 2 milionë euro në ndërtime, pajisje dhe shërbime të reja
Në fund të mandatit, Hyseni ka theksuar edhe nisjen e projektit më kapital në historinë e komunës – “Bulevardi i Qytetit”, me vlerë 18 milionë euro, i cili, sipas tij, do të ndryshojë rrënjësisht pamjen urbane të Gjilanit.
“Këto investime madhore, bashkë me qasjen e re në qeverisje, kanë transformuar qytetin tonë. Jam krenar për çdo hap të bërë dhe për besimin e qytetarëve në këtë rrugëtim”, është shprehur Hyseni.