Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka mbajtur sot një mbledhje urgjente të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, me qëllim të adresimit të situatës së sigurisë pas ngjarjeve të fundit tragjike në Gjilan.
Në këtë takim mori pjesë edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Enver Dugolli, ndërsa përfaqësuesit institucionalë u informuan për detajet e rasteve nga drejtori rajonal dhe komandanti i Stacionit Policor.
Hyseni bëri të ditur se gjatë mbledhjes ka kërkuar zyrtarisht shtimin e kontrolleve policore për armëmbajtje pa leje, si dhe rritjen e pranisë së policisë në shkolla, me qëllim të garantimit të sigurisë së nxënësve.
Ai theksoi se institucionet komunale kanë ofruar bashkëpunim të plotë me organet e rendit, ndërsa përfaqësuesit institucionalë janë zotuar për angazhim të shtuar në parandalimin e ngjarjeve të tilla në territorin e komunës.
“Mbrojtja e jetës së qytetarëve tanë mbetet prioriteti ynë kryesor dhe do të punojmë me vendosmëri për të garantuar qetësinë dhe rendin publik në çdo pjesë të Gjilanit”, ka deklaruar Hyseni.










