Kryetari i Komunës së Gjilanit dhe njëherësh kryetar i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan, Alban Hyseni, ka bërë të ditur se në Gjilan është mbajtur një mbledhje e përbashkët me drejtuesit e të gjitha Qendrave të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kosovë.
Në takim, ku ishte i pranishëm edhe kryetari i LVV-së dhe njëherësh kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, si dhe sekretari organizativ Alim Rama dhe koordinatori i qendrave, Salih Zyba, është diskutuar për zhvillimet aktuale politike, me theks të veçantë procesin e konsolidimit të institucioneve.
Sipas Hysenit, pjesë e diskutimeve ishin edhe çështjet organizative, forcimi i strukturave në terren, procesi i zgjedhjeve të brendshme, planifikimi i punës dhe rritja e angazhimit në lagje e fshatra.
Mbledhja u zhvillua në ditën kur Qendra e LVV-së në Gjilan shënoi 21-vjetorin e themelimit. Me këtë rast, pas përfundimit të mbledhjes, u organizua edhe një koktej rasti për shënimin e këtij përvjetori.
Hyseni ka vlerësuar 21 vitet e organizimit dhe aktivizmit të Lëvizjes në Gjilan, duke theksuar vazhdimin e angazhimit dhe punës në shërbim të qytetarëve dhe Republikës së Kosovës.

