Gjilan ka marrë një vendim të rëndësishëm në sektorin e arsimit, pasi që Jeton Rexhepi pritet të emërohet Drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA). Vendimi vjen pas një periudhe konsultimesh nga kryetari i komunës, Alban Hyseni, i cili i ka besuar Rexhepit drejtimin e këtij dikasteri të rëndësishëm dhe njëkohësisht mjaft sfidues.
Jeton Rexhepi ka ushtruar deri më tani detyrën e drejtorit në Gjimnazi ‘Zenel Hajdini’, ku puna e tij është vlerësuar pozitivisht nga stafi arsimor. Ai është përmendur si një drejtues që ka ndërtuar një frymë bashkëpunimi brenda kolektivit, duke promovuar profesionalizëm, komunikim të hapur dhe angazhim për përmirësimin e vazhdueshëm të procesit mësimor.
Fillimisht ishte përfolur edhe emri i Selvete Sylejmanit si pjesë e mundshme e këtij dikasteri, mirëpo sipas burimeve, ajo nuk do të jetë pjesë e DKA-së në këtë legjislaturë.
Emërimi i Rexhepit në krye të DKA-së shihet si një hap i rëndësishëm për menaxhimin dhe avancimin e politikave arsimore në komunë. Duke pasur parasysh përvojën e tij në menaxhimin e një institucioni të madh arsimor, pritjet janë që ai të sjellë qasje të reja dhe përmirësime konkrete në funksionimin e arsimit në Gjilan.
Mbetet të shihet se cilat do të jenë prioritetet dhe iniciativat që do të ndërmarrë gjatë mandatit të tij në këtë dikaster kyç për zhvillimin e arsimit lokal./Radio Star/

