Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka zhvilluar një takim të veçantë me artistin e njohur ndërkombëtarisht, Sislej Xhafa, ku në qendër të diskutimit ishte roli i artit bashkëkohor në jetën kulturore dhe shoqërore të qytetit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hyseni bëri të ditur se takimi u fokusua në projektin “KultQendra”, që synon të shndërrohet në një pikë referimi për jetën kulturore të Gjilanit, poashtu, u diskutua edhe ideja për themelimin e një Instituti të Artit Bashkëkohor, i cili pritet të ofrojë një hapësirë për talentet e reja dhe të krijojë ura lidhëse me skenën artistike ndërkombëtare.
Ja postimi i Kryetarit Alban Hyseni pas takimit me artistin ndërkombëtar Sislej Xhafa:
Kafen e mëngjesit e pimë bashkë me artistin e mirënjohur ndërkombëtar Sislej Xhafa – një zë unik i artit bashkëkohor që e ka përfaqësuar Kosovën dhe rajonin në skenat më prestigjioze të botës.
Në një bashkëbisedim të hapur e frymëzues, folëm për rolin e artit dhe kulturës në shoqëri, për fuqinë e imagjinatës dhe për nevojën që të krijojmë hapësira ku mendimi kritik dhe kreativiteti të mund të rriten lirisht.
🎭 Në qendër të diskutimit ishte KultQendra – projekti që synon të bëhet zemra kulturore e Gjilanit – si dhe ideja për krijimin e një Instituti të Artit Bashkëkohor, që do t’i japë zë brezave të rinj dhe do ta vendosë Gjilanin në hartën ndërkombëtare të artit dhe krijimtarisë.
#përGjilaninqëduam