Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka marrë pjesë në hapjen e Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venecias, një nga ngjarjet më prestigjioze të artit bashkëkohor në botë, që po zhvillohet në Venecia, Itali.
Në një deklaratë nga vendi i ngjarjes, Hyseni u shpreh se pak javë më parë kishte pritur në zyrën e tij artistin Brilant Milazimi, me të cilin kishte diskutuar për ëndrrën dhe rrugëtimin e tij drejt skenës ndërkombëtare të artit. Sot, sipas tij, ajo ëndërr është bërë realitet.
“Sot jemi dëshmitarë të një momenti historik. Jam jashtëzakonisht krenar që Komuna e Gjilanit e ka mbështetur Briliantin në këtë rrugëtim dinjitoz. Sot, kur Pavijoni i Kosovës hap dyert në Bienalen e Venecias, Gjilani nuk është thjesht spektator, por partner i këtij suksesi”, deklaroi Hyseni.
Ai theksoi se pjesëmarrja e artistëve nga Kosova në këtë ngjarje ndërkombëtare është dëshmi e potencialit krijues dhe mbështetjes institucionale për artin dhe kulturën.
Bienalja e Venecias është një nga ekspozitat më të rëndësishme ndërkombëtare të artit bashkëkohor, ku vende nga e gjithë bota prezantojnë projekte artistike në pavijonet e tyre kombëtare. Në këtë edicion, Pavijoni i Kosovës po tërheq vëmendje me pjesëmarrjen e artistëve të rinj dhe projekteve bashkëkohore.
Hyseni i uroi sukses artistit Brilant Milazimi dhe ekipit të tij, duke theksuar se Gjilani do të vazhdojë të mbështesë talentet e reja në rrugën e tyre drejt skenës ndërkombëtare.

