Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka nisur një iniciativë të re komunikimi përmes një serie podcaste-sh, me qëllim promovimin e figurave të dalluara dhe të kontribuueshme të qytetit. Seria e podcasteve do të zhvillohet në baza javore dhe do të sjellë pranë publikut histori suksesi, përvoja jetësore dhe mesazhe frymëzuese nga personalitete të ndryshme të Gjilanit.
Mysafiri i parë në këtë seri ishte profesori i gjuhës angleze, Qazim Aliu – një emër i njohur për përkushtimin e tij në arsim dhe ndikimin pozitiv në breza të tërë nxënësish. Gjatë bisedës, u trajtuan tema që lidhen me arsimin, angazhimin qytetar dhe rëndësinë e ruajtjes së vlerave shoqërore në një kohë dinamike për qytetin dhe vendin.
Kryetari Hyseni theksoi se ideja e kësaj nisme vjen si nevojë për të ndërtuar ura të reja komunikimi me qytetarët, por edhe për të vënë në pah ata që kanë kontribuar në mënyrë të heshtur, por të qëndrueshme për komunitetin.
“Ky podcast nuk është vetëm një formë moderne komunikimi, por edhe një mundësi për të nderuar ata që me punë, dije dhe integritet kanë ndërtuar Gjilanin që njohim sot,” u shpreh Hyseni.
Seria do të vazhdojë çdo javë me emra të rinj nga fusha të ndryshme si arsimi, kultura, sporti, shëndetësia dhe shoqëria civile, duke krijuar një arkivë të gjallë të historive dhe kontributeve vendore.