Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka njoftuar se nga 5 tetori 2026 do të fillojnë punimet në segmentin e hyrjes së rrugës Gjilan–Prishtinë, në kuadër të projektit “Rehabilitimi dhe zgjerimi i rrugës N25.2, segmenti Bresalc–Gjilan (Hyrja Gjilan)”.
Sipas njoftimit, punimet parashihet të zgjasin rreth dy muaj, me mundësi ndryshimi të afatit në varësi të dinamikës së punimeve.
Gjatë kësaj periudhe do të ketë kufizime në qarkullim, si dhe në qasjen e banorëve dhe subjekteve afariste në këtë zonë.
Për të shmangur pengesat në trafik, qytetarëve u është rekomanduar përdorimi i rrugëve alternative, përkatësisht rrugës “Pajazit Ahmeti” në drejtim të rrethit “28 Nëntori”, si dhe rrugës “15 Qershori”, në drejtim të rrugëve “Haki Myderizi” dhe “NATO 99”.
Qytetarët janë ftuar të respektojnë shenjat e përkohshme të komunikacionit dhe udhëzimet e vendosura në terren, me qëllim të lehtësimit të qarkullimit dhe garantimit të sigurisë së të gjithë pjesëmarrësve në trafik.
Komuna e Gjilanit ka kërkuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve gjatë realizimit të këtyre punimeve.










