Rinovimi i palestrës së sportit “Bashkim Selishta” në Gjilan po vazhdon me intensitet të lartë, si një ndër projektet strategjike të komunës në funksion të zhvillimit të infrastrukturës sportive dhe përkrahjes së të rinjve.
Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, ka bërë të ditur se aktualisht po punohet në pjesën e jashtme të objektit, përfshirë rrethimin e tribunave dhe sistemimin e hapësirës përreth. Ndërkohë, dritaret dhe fasada e jashtme janë në prodhim dhe pritet të montohen së shpejti.
Ky investim synon të krijojë kushte moderne për sportistët dhe komunitetin, duke e kthyer palestrën në një hapësirë funksionale, dinjitoze dhe të sigurt për aktivitete sportive dhe kulturore.