Në një takim të mbajtur sot me drejtorët komunalë, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka prezantuar zyrtarisht drejtorin e ri të Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA), Jeton Rexhepi.
Prezantimi u bë para kabinetit komunal, ku Rexhepi mori zyrtarisht detyrën për të udhëhequr me sektorin e arsimit në Gjilan. Kryetari Hyseni theksoi rëndësinë e arsimit si një nga prioritetet kryesore të qeverisjes lokale, duke i uruar suksese drejtorit të ri në detyrën e tij.
Jeton Rexhepi deri më tani ka udhëhequr me përkushtim Shkolla e Mesme e Lartë Teknike ‘Zenel Hajdini’ në Gjilan. Me përvojën e tij në menaxhimin e institucionit arsimor, ai pritet të sjellë angazhim dhe përkushtim të shtuar në zhvillimin e arsimit në komunë.
Në fjalën e tij, Rexhepi falënderoi për besimin e dhënë dhe u zotua se do të punojë ngushtë me shkollat, mësimdhënësit dhe prindërit për të përmirësuar cilësinë e arsimit dhe kushtet në institucionet arsimore të Gjilanit.
Drejtori i ri i Arsimit theksoi se e presin shumë punë dhe sfida, por u shpreh i gatshëm të angazhohet maksimalisht për të arritur rezultate konkrete në dobi të nxënësve dhe komunitetit.

