Stubëll – Shkolla e Parë Shqipe, një ndër gurëthemelët e historisë arsimore dhe identitetit kombëtar, u vizitua sot nga Alban Hyseni, i shoqëruar nga Arsim Ademi, kryetar i Qendrës së Lëvizjes në Viti. Kjo vizitë vjen si shenjë nderimi për një nga vendet më simbolike të trashëgimisë sonë kulturore dhe kombëtare.
Gjatë vizitës, Hyseni u prit nga Marjan Ramaj, kryetar i fshatit, Don Fatmir Koliqi, famullitari i kishës lokale, si dhe Kristë Ramaj nga kompania Elektro Stublla. Takimi shërbeu si një moment reflektimi mbi rëndësinë e ruajtjes së vlerave historike dhe edukative që përfaqëson Stublla, si vendi ku u hodhën themelet e arsimit në gjuhën shqipe në këtë trevë.
Në deklaratën e tij, Alban Hyseni theksoi se Stublla e Epërme është më shumë se një vendbanim – është një pikë referimi për vetëdijen historike dhe kulturore të kombit shqiptar. Ai vlerësoi përkushtimin e komunitetit lokal në ruajtjen e këtij thesari të çmuar të trashëgimisë sonë.
Stublla mbetet një simbol frymëzues për brezat e rinj dhe një kujtesë e gjallë e rrugëtimit të popullit shqiptar drejt dijes dhe lirisë. Ruajtja dhe promovimi i saj është një detyrë kolektive ndaj historisë sonë të përbashkët.