Albert Selishta ka lindur më 25 tetor 1988 në Gjilan, ku ka përfunduar shkollën fillore dhe atë të mesme. Studimet universitare i ka përfunduar në Universitetin “Uludağ” në Bursë, Turqi, në Fakultetin e Shkencave Ekonomike, ndërsa studimet master në fushën e prodhimit.
Përvojën profesionale e ka nisur në Qendrën e Trajnimeve Profesionale BUTGEM, që funksionon në kuadër të Odës Ekonomike në Bursë, ku ka punuar si koordinator me nxënës ndërkombëtarë. Më pas, për shtatë vite ka punuar në Grupin e Ndërmarrjeve “ERMETAL”, si udhëheqës i prodhimit në njërën prej fabrikave të saj.
Që nga viti 2023 jeton dhe punon në Kosovë, ku ka qenë menaxher në dy fabrika që veprojnë në sektorin e mobilieve dhe metalit, duke sjellë përvojën e tij shumëvjeçare në organizim dhe efikasitet të proceseve të prodhimit.
Është themelues dhe kryetar i Unionit Studentor Shqiptar në Bursë, themelues dhe kryetar i Unionit Studentor Ndërkombëtar, anëtar themelues i Rrjetit Rinor Shqiptar në Turqi, anëtar i Bordit të Qendrës Kulturore në Bursë dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Qendrës për Hulumtime Ballkanike.
Angazhimin politik e ka nisur në vitin 2005, me hapjen e zyrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan, ku ishte ndër aktivistët e parë. Gjatë qëndrimit 15-vjeçar në Turqi ka qenë aktivist vullnetar në shoqata të komunitetit shqiptar në Bursë.

