Janë bërë 6 muaj që ju z. Kurti keni marrë në dorë udhëheqjen e vendit dhe ende nuk e keni iniciuar asnjë lehtësirë që banorët e Luginës ta marrin nënshtetësinë e Kosovës. Ende nuk keni bërë asgjë në këtë drejtim, për këta banorë që jetojnë në Kosovë tash 22 vjet.
Shkruan: Kushtrim Ajvazi
Që nga viti 2010 keni premtuar se do të bëni lehtësira për luginasit, madje patët premtuar se do të themelonit edhe ministri për Luginën, përmes së cilës do të merreshit me problemet e saj, por asgjë nuk keni bërë.
Në fillim të mandatit tuaj shkuam tek ministri juaj z. Sveqla dhe ia dërguam propozimet tona ligjore në mënyrë që të krijohen lehtësira për luginasit në marrjen e dokumenteve të Kosovës. Por, që nga ajo ditë, më kjo punë nuk u përmend askund. U harrua fare. Zyrtarët tuaj të MPB- së nuk na japin asnjë informacion në lidhje me këtë temë dhe i ikin pyetjes sonë. Madje, disa prej tyre, posa ua bëjmë këtë pyetje, na mbyllin telefonin menjëherë.
Nuk ke asnjë arsye të vonohesh më shumë, pasiqë krejt t’i kemi bërë gati. Mjafton një udhëzim administrativ i ministrit tuaj dhe gjithçka rregullohet.
Për shtetasit e Shqipërisë e bëtë një gjë të tillë dy jave posa erdhët në pushtet, ndërsa për luginasit nuk po e bënë.
Albin, ne të votuam, lobuam për ju dhe publikisht ju përkrahëm, që ju të fitoni dhe t’i kryeni punët, jo ti neglizhoni ato.
Ne i kemi informuar dhe pyetur edhe deputetët tuaj nga Gjilani për këtë çështje dhe të cilët i kanë marrë votat tona, por edhe ata “çelu guri, çelu dru”.
I ke votat e mjaftueshme në parlament, mblidh deputetët e tu, ndaji 5 minuta për ne luginasit dhe kryeje këtë punë! Mos e vono më, se na keni lodhur!