Nga Vitia deri në Gjilan, kandidati i Lëvizjes për Kryeministër Albin Kurti shoqëruar nga kandidatë për deputet bëri një tur takimesh nga akademia shkencore për Pjetër Bogdanin, në vizitë te prodhues vendor e familje aktivistësh të Lëvizjes deri në bashkëbisedim me të moshuar.
Në Stubëll, ku Dom Mikeli hapi shkollën e parë shqipe morëm pjesë në akademinë shkencore e manifestimin e përvitshëm letrar e kulturor “Takimet e Dom Mikelit 2019” mbi jetën e veprën e Pjetër Bogdanit. Bogdani mbetet jehonë nga e kaluara për të drejtën dhe detyrën e çdo qytetari për t’u kujdesur për tjetrin. Përkujdesja ndaj tjetrit është ajo që e bën bashkë të drejtën, barazinë dhe të vërtetën. Përndryshe harresa, mashtrimi e lakmia i përmbysin zemrat tona.
Në Viti vizituam fabrikën e miellit “Thesari” me 100 punëtorë të punësuar e në vazhdim në Gjilan fabrikën e vajit “Floil” e fermën “Mendy”. Prodhuesit vendor ndanë me ne mungesën e mbështetjes shtetërore, kreditë me interesa të larta dhe mungesën e një arsimi që i përgatit praktikisht studentët. Kryeministri i ardhshëm, Albin Kurti, u premtoi se qeverisja e Lëvizja do të qëndrojë pranë bizneseve në përgjithësi ngaqë nuk do të ketë biznesmenë të përveçëm në marrëdhënie më të ngushtë me qeverinë.
Në takim me pensionistët në Gjilan Albin Kurti tha se ka ardhur dita e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, “të tjerët i kanë patur nga dy e tre shanse për ta drejtuar Kosovën, ndërsa VETËVENDOSJE! kërkon vetëm një shans për ta luftuar krimin e korrupsionin dhe për t’i mundësuar ndryshime e mëdha sociale të nevojshme për Kosovën”. Rritja e buxhetit për shtëpitë e pleqve nëpër komuna dhe kërkesa ndaj serbisë për kthimin e fondit të pensioneve, mes të tjerash, do të jenë dy masa të Lëvizjes ku zëri i të moshuarve do të flasë përmes shtetit të Kosovës.
Procesi i dhunshëm i privatizimit nuk ka sjellur zhdukjen totale të industrive, por e i ka copëzuar ato aq shumë sa i ka bërë të padukshme. Shkëputja e arsimit nga përgatitja praktike profesionale ka sjellë një situatë ku as çdo i 20-ti punëtor nuk aftësohet dot në muajin e parë të punës. Ndërsa dy funksionet më efektive të shteti, mbikqyrja e mirëmbajtja, nuk funksionojnë në shteti e Kosovës. Qeveria Kurti do t’i fitojë zgjedhjet e 6 tetorit pikërisht për të ndryshuar këtë situatë.