Me 29 gusht 2016, vetëm dy ditë para protestës së 1 shtatorit, kundër ‘Demarkacionit’ të kufirit me Malin e Zi e cila do të mbahej në ditën kur Qeveria e atëhershme kishte paralajmëruar ratifikimin e atij ‘Demarkacioni’, u arrestuan gjashtë aktivistë të LV në mesin e të cilëve edhe Astrit Dehari. Dy muaj më vonë na vjen lajmi i kobshëm se Astriti ka vdekur.
Komandanti i Policisë i rajonit të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, pak orë pasi që vdiq Astrit Dehari, ishte i pari zyrtar i shtetit që foli, thua se Astriti vdiq në stacion të policisë e jo në burg. 68 ditë në burg Astriti nuk u mor në pyetje fare. Prokuroria nuk e merrte në dorë Astritin, disi ia kishte lënë policisë ani se po e mbante në burg. Prandaj, edhe Nexhmi Krasniqi ishte i pari që foli dhe jo vetëm që foli, por edhe gënjeu. Kështu, ishte kryepolici që deklaroi i pari e jo ndokush prej burgut të Prizrenit, i njëjti që i vazhdoi gënjeshtrat policore të cilat qysh prej fillimit shpaloseshin nëpër konferenca shtypi të zyrtarëve të lartë të Policisë së Kosovës kundër gjashtë aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s.
Nexhmi Krasniqi tha që Astriti ka vdekur nga doza e tepërt e medikamenteve. Ai foli para se të flasë drejtori apo ndokush nga burgu, mjeku apo ndokush nga shëndetësia, dhe, foli për medikamente të paqena, për teprime në medikamente të paqena. Në Burgun e Prizrenit, në qelinë A3, më 5 nëntor 2016, ka vdekur një qytetar i pafajshëm: i padënuar, i pagjykuar, i pa aktakuzë, e i pa intervistuar. Shteti ka gënjyer kur Astriti është arrestuar, shteti ka gënjyer pse Astriti ka vdekur.
Astriti nuk ka vdekur me medikamente të tepruara: ekspertiza ligjore ka konstatuar që për 11 lloje të medikamenteve janë zhvilluar teste dhe në asnjërën prej tyre Astriti nuk ka dalur pozitiv. 11 lloje të medikamenteve, kurrfarë medikamenti, trup plotësisht i shëndoshë fizikisht e psiqikisht! Raporti i Autopsisë konstatoi se shkaku i vdekjes është asfiksia mekanike, bllokimi i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes nga mjeti i fortë, një shishe e plastikës.
Pasi që u nxitua kryepolici Nexhmi Krasniqi duke gënjyer, u nxitua edhe Kryeprokurori i Gjykatës Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, i cili menjëherë konstatoi se Astriti ishte vetëvrarë ende pa u bërë e pa u kryer hetimet. Njësoj, edhe prokurori i rastit në Prokurorinë Themelore në Prizren, Metush Biraj, pa u mbyllur hetimet e udhëhequra nga ai, deklaron se Astriti është vetëvrarë. Synimi i tyre ishte i qartë: të mbyllen hetimet sa më pare që praktikisht do të thotë të mos bëhen fare ato. Askush deri më tani nuk ka dhënë përgjegjësi për deklaratat e rreme.
E, paraprakisht, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, teksa na drejtohej neve deputetëve të VETËVENDOSJE!-s, pati thënë “po e vrani veten”, disa ditë para se të mbytet Astriti: “Kujdes, se po e vrani veten!”, ”Runu ishalla veç s’e vrani veten” Veseli duhet të tregojë se për çka e kishte fjalën.
Drejtësia i nxjerr jashtë shoqërisë kriminelët dhe I fut Brenda në burg, mirëpo, në Kosovë, drejtësia dhe sistemi prej burgut tek gjyqësia, prej Qeverisë tek prokuroria e policia janë bërë vetë ato vende të krimit. Mbi Astrit Deharin është kryer krimi prej ditës kur është arrestuar e deri atëherë kur vdiq me 5 nëntor. Atë ditë, pra me 5 nëntor të vitit 2016, Astriti ngelet katër minuta e gjysmë në qelinë A3 të burgut të Prizrenit pasiqë e gjejnë të shtrirë aty. Për katër minuta njeriu vdes katër herë!
Vetëm 3 ditë pas vdekjes së Astritit, në TV Klan dhe nga gazeta Express u emetuan skena nga video incizimet e bëra nga video kamerat e instaluara në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, me gjithë detyrimin ligjor për ruajtjen e këtyre incizimeve si material sensitiv për hetim. Si doli jashtë ky material? Pse mu te këto dy medie kur publikisht dihet qëndrimi redaksional e politik i tyre kundër Lëvizjes sonë?
Me 20 dhjetor 2016 kemi vendimin e Kuvendit për hetime ndërkombëtare, mirëpo, po atë ditë, menjëherë pason letra e ish-ministres së Drejtësisë, znj. Hoxha, dërguar kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi, përmes së cilës ajo kërkonte të kryhen hetime për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj avokatit Tomë Gashi dhe ndaj ekspertit të mjekësisë ligjore Besim Ymaj dhe patologut Besim Latifaj, të cilët kanë marrë pjesë në obduksionin e Astrit Deharit. Pra, vetëm një muaj e gjysmë pas mbytjes së Astritit, kjo ish ministre e Drejtësisë kërkon përndjekjen e atyre që dëshironin të mësonin të vërtetën dhe ta zbardhnin atë.
Më 4 prill të vitit 2017, vdiq në rrethana shumë të dyshimta në burg, Naser Makolli, I burgosuri që kishte qenë në po atë qeli me Astritin! Nuk ishte e rastësishme që e penguan me kaq shumë zell kaq gjatë çfarëdo hetimi të pavarur ndërkombëtar, p.sh. me pretekste banale se Zvicra nuk është shtet anëtar i BE-së andaj nuk mund të vijnë hetuesit prej andej. Para tre muajsh, kur isha pesë javë në burg, në Qendrën e Paraburgimit në Lypjan, kam biseduar me të burgosurit e tjerë për Naser Makollin. Isha në po atë krah: unë në qelinë D-17 kurse Naser Makolli kishte qenë në D-7. Të burgosurit thoshin se ai ka ardhur i sëmurë dhe për çdo ditë ka humbur nga pak peshë deri sa vdiq një ditë. U vyshk e u fik dalëngadalë për një muaj. Gjatë asaj kohe, Naser Makolli kishte marrur rregullisht ilaçe për probleme me stomak, me lukthin, dhe, në fund ka vdekur nga gjakderdhja masive, i ishte çarë aorta në zemër. Ai ishte i pari që e ka parë Astritin në qeli kur ka ndodhur rasti.
Hetimi i pavarur ndërkombëtar që e rifillon shqyrtimin është i domosdoshëm. Për paaftësinë e mjekëve të mjekësisë ligjore flet edhe Raporti i fundit i Progresit i Komisioni Evropian për Kosovën nga viti2016 i cili në faqe 21 thotë: “Agjencia e Kosovës për Forenzikë dhe laboratorët e saj kanë pajisje teknike të mjaftueshme për kryerjen e analizave përkatëse të mjekësisë ligjore. Stafi i Agjencisë ka nevojë për trajnim rreth shërbimit dhe për ndihmë nga EULEX-i. Aftësia e saj për të ofruar patologjinë e duhur mjeko-ligjore mbetet shumë e dobët. Duhet të sigurohet financimi i vazhdueshëm i Agjencisë.”
Më 8 shkurt 2018, avokati i familjes ka pranuar vendimin e prokurorisë në Prizren, për lejimin e hetimit të pavarur nga instituti zviceran i mjekësisë ligjore, sipas kërkesës së familjes Dehari. Kërkesat e plota të familjarëve dhe të shoqërisë civile, nëpërmjet peticionit me 23.774 nënshkrime të dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës më 29 nëntor 2016, kanë qenë për hetim të pavarur por edhe për shkarkimin dhe vendosjen para përgjegjësisë të gjithë zinxhirit institucional lidhur me këtë rast. Prandaj, propozojmë këtë:
MOCION PËR INTERPELANCË
1. Realizimi pa vonesa i hetimit të pavarur ndërkombëtar si dhe bashkëpunimi pa pengesa nga institucionet ligj zbatuese të Republikës së Kosovës.
2. Shkarkimi i menjëhershëm i zyrtarëve brenda Policisë së Kosovës përgjegjës për rastin në mënyrë që t’i hapet rrugë hetimit të plotë dhe pa pengesa.
3. Shkarkimi nga pozita e Ministres në Kabinetin Qeveritar – Dhurata Hoxhës, si ministre nën udhëheqjen e së cilës dështoi përmbushja e detyrës zyrtare në lidhje me mungesën mbarëvajtjes së institucioneve korrektuese dhe pengesën në hetime të pavarura.
Në një shtet demokratik, në një shtet të së drejtës, në burg njeriu e humbet lirinë, por do të duhej ta fitonte sigurinë. Burgu është vendi më i sigurt për jetën, e politika është vendi më i pasigurt për karrierën. Në një shtet demokratik, në një shtet të së drejtës, çfarë e duam Kosovën tonë.
Ju falemnderit.