Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur para samitit të liderëve të Bashkimit Evropian me udhëheqësit politikë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili është duke u mbajtur sot në Bërdo të Sllovenisë. Ai para gazetarëve tha se Kosova dhe Serbia duhet ta gjejnë një marrëveshje.
“Serbia nuk e njeh Kosovën, Kosova nuk e njeh Serbinë, dhe ne kemi nevojë për një marrëveshje,” tha Kurti, duke theksuar se “fondet evropiane nuk shkojnë pa vlerat evropiane”.
Kurti po ashtu theksoi se kanë kaluar tri vjet prej kur Komisioni Evropian rekomandoi për herë të dytë liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Është një padrejtësi e madhe dhe mungesë e trajtimit të drejtë të qytetarëve që kjo nuk ka ndodhur ende”, tha kryeministri.
Ai po ashtu kujtoi se pesë vende të Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur Kosovën, ndërsa shprehu shpresën se ata do të bëjnë këtë së shpejti.
“Shpresoj që së shpejti ato 5 vende do t’i bashkohen vendeve që na kanë njohur”, u shpreh Kurti
Siç tha ai, Kosova po bën çmos për ta arritur njohjen reciproke me Serbinë.