Ky fjalim është fjalimi im i parë pas zgjedhjeve të brendshme të datës 21 janar, ku me votën e anëtarëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, sipas parimit një anëtar-një votë, unë u zgjodha kryetar i Lëvizjes, pasi që mandati i rregullt i ish-kryetarit, z Visar Ymeri, kishte përfunduar.
Me këtë rast dua të falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar në të shkuarën për çështjet dhe bindjet e përbashkëta, duke veçuar ish-kryetarin Visar Ymeri, i cili ka qenë një bashkëpunëtor i vlefshëm dhe një kontribues në rritjen dhe përparimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Ndryshimi i drejtimit në Lëvizje do të jetë, ashtu siç ka qenë edhe në të shkuarën, edhe respektim i vazhdimësisë, por edhe ndryshim për të ecur përpara, drejt sfidave të reja e drejt objektivave tonë madhorë.
Pra, po, do të jetë vazhdimësi. Ne i kemi dokumentet bazë, që janë njëkohësisht zotimet tona, manifestin e VETËVENDOSJE!-s, programin 100 pikësh të Lëvizjes, Alternativën Qeverisëse, 40 masat për Republikën, politika të cilat vazhdojnë të përfaqësojnë perspektivën më të thelluar dhe më të mirë për të ardhmen e Kosovës. Ne i kemi themelet tona politike, ato të cilat na bëjnë të gjithëve bashkë, e me të cilat pajtohemi të gjithë. Ato janë: përpjekja e pandërprerë për plotësimin e sovranitetit të Kosovës dhe për bashkimin me Shqipërinë, si projekt vetëvendosës, zhvillimor e paqësor; rruga socialdemokratike për mbrojtjen dhe nxitjen e prodhimit vendor, zhvillimit ekonomik e punësimit, me drejtësi sociale dhe jo vetëm gjyqësore; si dhe për forcimin e shtetit në mënyrë demokratike e të drejtë, ndryshe nga ç’kanë bërë pushtetet e deritanishme që e kanë mbrojtur korrupsionin e vet me autoritarizëm e me brutalitet.
Por, po ashtu do të ketë edhe ndryshime, përmirësime, risi. Në zgjedhjet e brendshme, unë e bazova kandidimin tim tek paraqitja e një platforme për drejtimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! gjatë katër viteve të ardhshme. Platforma është pikënisje dhe jo destinim. Atë duhet ta diskutojmë nëpër Qendrat tona për t’i përfshirë vërejtjet e sugjerimet tuaja nga përvoja që keni dhe nga leximet që bëni.
Muajt shkurt, mars dhe prill është mirë t’i shpallim muaj të anëtarësimeve të reja në Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe muaj të pagesës së anëtarësisë nga anëtarët e Lëvizjes. Prej marsit e deri në korrik të organizojmë zgjedhjet e strukturave të brendshme të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në qendrat ku ato nuk janë të kompletuara. Dhe, të vizitohen qendrat nga Kryetari, Koordinatori i Qendrave, Sekretari Organizativ, anëtarët e Kryesisë dhe deputetët, për takime pune, sidomos për çështjet organizative. Në mbledhjet e përbashkëta me Qendrat vijnë në shprehje të përbashkëtat që kanë degët tona. Në mbledhjet me ato veç e veç trajtojmë edhe veçantitë e Qendrave për gjendjen dhe nivelin e tyre të zhvillimit.
Detyrë e jona, 19 vite pas çlirimit të Kosovës, është që ta vendosim Kosovën në binarët e zhvillimit dhe të forcimit, e për këtë është e nevojshme të qeverisë VETËVENDOSJE!-a. Gjatë vitit 2017 ne i patëm disa fitore të shkëlqyera elektorale, u bëmë forca e parë në zgjedhjet qendrore, dhe fituam dy qytetet më të mëdha, Prishtinën e Prizrenin, por po ashtu fituam edhe Dardanën, si dhe arritëm në balotazh në Gjilan, Kaçanik e Besianë. Edhe në tri komuna të tjera Lëvizja jonë është në bashkëqeverisje: Mitrovicë, Vushtrri dhe Klinë. Hapi i radhës për ne është ardhja në qeverisje e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, gjë e cila tashmë është edhe domosdoshmëri, duke pasur parasysh zhgënjimin e madh dhe pesimizmin që e kanë shkaktuar dështimet e njëpasnjëshme të subjekteve të tjera.
Rritja dhe zgjerimi i organizatës, emancipimi dhe ngritja e aktivistëve, sidomos e të rinjve, lufta ndaj diskriminimit, forcimi i qendrave, rritja e bashkëpunimit me sindikata, shoqëri civile e medie, promovimi i figurave me aftësi profesionale e politike, të gjitha këto do të jenë prioritet për Lëvizjen. Po ashtu, do të përparojmë edhe më tej në forcimin e marrëdhënieve tona me partnerë ndërkombëtarë, qofshin këta përfaqësues në Kosovë, apo subjekte të ngjashme në vende të tjera.
Intensifikimi i aktivitetit opozitar, ndalja e projektligjeve të dëmshme në parlament, por edhe iniciativat ligjore me rëndësi për qytetarët e për grupe të ndryshme të interesit, do të jenë detyrë mbi detyrat për grupin tonë parlamentar, dhe për organizatën në tërësi. Jemi një opozitë aq e fuqishme, sa të mund ta vëmë në vështirësi cilëndo qeveri, në nivel qendror apo lokal, dhe do ta bëjmë këtë, sa herë që të jetë e nevojshme në të mirë të interesit publik në Kosovë. Por do të jemi konstruktivë sa herë që pushteti të ndërmarrë hapa me interes për vendin e për popullin tonë.
Një nivel i ri organizativ kërkon një rregullsi e disiplinë të shtuar, dhe mesazhi im për të gjithë aktivistët, duke përfshirë edhe deputetët, e ka formën e një kërkese. Duhet të jemi të palodhur që t’i përgjigjemi nevojave të qytetarit, duhet të jemi të kujdesshëm, që të mos e zhgënjejmë asnjërin prej atyre që na ka votuar me plot shpresë. Duhet të jemi të hapur, të pranojmë kritika e diskutime me të gjithë ata që kërkojnë të diskutojnë me ne, dhe duhet të jemi të vendosur, kundër të gjithë atyre që përpiqen të dëmtojnë të ardhmen e Kosovës dhe aspiratën tonë shoqërore e kombëtare.
Të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm,
Ju uroj punë të mbarë në këtë mbledhje e cila e shënon mbledhjen e parë, jo vetëm me kryetar të ri për Lëvizjen tonë por edhe mbledhjen e parë për vitin 2018 aq të rëndësishëm jo vetëm për neve, por edhe për Kosovën e për mbarë popullin tonë. Andaj, le të na prijë mirësia e le të na përcjellë mbarësia!