Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin e plotë lidhur me votimin e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti.
Pas këtij vendimi të plotë tashmë është zyrtare që Albin Kurti nuk mund të garojë në zgjedhje
Vendimi thotë se “në bazë të nenit 71.1 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e Kushtetutës.
Kujtojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë, në janar vitit 2018 kishte shpallur fajtorë Albin Kurtin, për dy veprat penale, atë të përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe për pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, veprime këto që lidhen me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015.
Albin Kurti ishte dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm, kurse për veprën penale të pengimit të personit zyrtar është dënuar me gjashtë muaj burgim. Ndaj tij, është shqiptuar dënimi unik prej 1 vit e gjashtë muaj burgim me kusht. /Reporteri.net/.