Kryeministri Albin Kurti e ka pritur në takim ministren gjermane të Mbrojtjes, Christine Lambrecht, e cila po qëndron në Kosovë, në kuadër të vizitës së saj në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Ajo mbajti një konferencë për media së bashku me kryeministrin Kurti, ku ky i fundit tregoi për takimet e tij në Berlin që pati dje.
“Dialogu duhet të rezultojë me marrëveshje, por kjo marrëveshje duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër të tij. Nuk them që njohja duhet të jetë i vetmi element i marrëveshjes, por njohja duhet të jetë në qendër. Do të ketë edhe elemente tjera, por ato elemente nuk kanë kuptim pa njohjen. Kosova nuk mund të kthehet para vitit 1999 kur u çlirua.
Kosova nuk mund të kthehet para vitit 2008 kur e ka shpallur pavarësinë. Kosova nuk mund të kthehet para vitit 2010 kur u dha vendimi i GJND-së. Kosova nuk mund të kthehet para vitit 2012 kur ka përfunduar mbikëqyrja e pavarësisë”.
Sipas Kurtit, duhet të ecet përpara, por për këtë progres thotë se Vuçiq duhet të distancohet nga Millosheviqi e Putini.
“Ne duhet të ecim përpara, e për të ecur përpara presidenti i Serbisë duhet të distancohet nga Millosheviqi e Putini. Kërkesa për kompromise në kushtet kur Vuçiqi asnjëherë nuk distancohet nga Millosheviqi e Putini nuk është kërkesë për zgjidhje”, deklaroi tutje Kurti.