Kur u lexua Deklarata e Pavarësisë me 17 shkurt 2008, u tha që po e shpallin Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik. Dhe, po, mungonte fjala ‘sovrane’. Pra, nuk u tha shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, por u tha vetëm: shtet i pavarur dhe demokratik. Të nesërmen mezi prita që ta lexoj tekstin e Deklaratës së Pavarësisë që ta shoh se çfarë saktësisht shkruante aty dhe për çudi e gjeta se fjala ‘sovran’ ishte në tekstin e Deklaratës. Shtrohet pyetja: a e kanë shtuar fjalën ‘sovrane’ në tekst më vonë apo lexuesi i saj s’e kishte lexuar, e kishte kapërcyer atë? Besoj që ishte kjo e dyta. Fjala ‘sovrane’ ka qenë në tekst, por është kapërcyer. Vetëcensura e lexuesit ishte simptoma e kufizimeve të shkruesit. Pakoja e Ahtisaarit është shkruar në llogari të sovranitetit të shtetit tonë.
Më lejoni të theksoj disa prej elementeve të kritikës sonë të atëhershme në vitin 2007, pra të kritikës sonë ndaj Pakos së Ahtisaarit duke potencuar që 10 Shkurti është i gjallë edhe sot sepse edhe kritika jonë e atëhershme është e gjallë edhe sot. Neni 1.2 i kësaj pakoje, Kosovën e definonte si shumësi të komuniteteve, pra shqiptarët dhe serbët i konsideronin komunitete, edhe pse shqiptarët janë mbi 90% kurse serbët përbëjnë vetëm 6%.
Më tej, neni 1.6, thoshte që gjuhë zyrtare në Kosovë është edhe shqipja edhe serbishtja. Kjo është shumë më shumë për serbët sesa për shqiptarët ta zëmë në Maqedoni, se lëre më për ata në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Neni 1.8, nuk e lejonte kërkesën për bashkim me ndonjë shtet apo pjesë të një shtetit tjetër, pra kufizim drastik për Kosovën nga jashtë i vetëvendosjes së jashtme për popullin dhe sovranitetit të jashtëm për shtetin. Neni 1.10 i Pakos tregon se në Kosovë do të sundojë bashkësia ndërkombëtare e jo populli dhe Qeveria e saj. Për të qenë më keq se kaq po ashtu në këtë nen parashihet që Kosova t’i bëj ftesë bashkësisë ndërkombëtare për këtë gjë! Pra, ejani dhe na sundoni!
Neni 3.7, i aneksit 1, shpjegonte se si Kuvendi i Kosovës do të ngelej i kurthuar nga një shumicë e dyfishtë. Miratimi, ndryshimi apo shfuqizimi i ligjeve më të rëndësishme do të kishte nevojë jo vetëm për shumicën e anëtarëve të pranishëm të Kuvendit, por edhe shumicën e atyre të komuniteteve pakicë të cilët kanë njëherë ulëse të rezervuara e më pas të garantuara. Në nenin 3.9 thuhet që asnjëra nga ligjet e nenit 3.7 me rëndësi jetike nuk mund të jenë objekte të referendumit. Merreni me mend, kjo është e vetmja herë kur përmendet fjala ‘referendum’, pra kur na ndalohet ai! Te neni 10.1, thuhet që çdo amendament në Kushtetutë mund të bëhet vetëm me 2/3 e deputetëve të Kuvendit, përfshirë këtu 2/3 e komunitetit pakicë të cilët i kanë ulëset e rezervuara. Pra, nevojiten 2/3 e numrit të gjithmbarshëm të deputetëve, 2/3 e pakicave, por nuk është e thënë 2/3 e shqiptarëve.
Neni 4, aneksi 3, decentralizimi (që përndryshe përbën 3/4 e pakos) tregon qartë sesi komunat e reja me shumicë serbe do të kenë kompetenca më të mëdha sesa komunat me shumicë shqiptare, siç është rasti i arsimit sipëror në Universitetin e veriut të Mitrovicës, i shëndetësisë sekondare e licencimit dhe menaxhimit të spitaleve. Neni 7.1.1, aneksi 3, e shpjegon si Ministria e Arsimit të Serbisë do t’i hartojë plan programet për shkollat në gjuhën serbe në Kosovë. Kjo hedhë farën e konflikteve në të ardhmen.
Aneksi 5, trashëgimia kulturore dhe fetare, në nenin 1.2 thotë se Kosova do ta njeh Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë duke përshirë manastiret, kishat dhe objektet tjera që shfrytëzohen për qëllime fetare si pjesë integrale e KOS-it me seli në Beograd. Ndërkaq, në nenin 6, thuhet se duhet të bëhet kthimi i artefakteve arkeologjike dhe etnologjike të cilat janë marrë hua nga muzetë e Kosovës për ekspozim të përkohshëm në Beograd gjatë viteve 1998-1999. Pra, plani i Ahtisaarit thotë që ne ta pranojmë se na u paskan marr hua përkohësisht dhe jo se na janë plaçkitur artefaktet kulturore!
Aneksi 8, sektori i sigurisë në Kosovë, në nenin 5.2 thotë se FSK-ja do të jetë e armatosur lehtë dhe nuk do të posedojë armë të rënda si tanke, artileri të rëndë apo kapacitet ajror ofenziv. FSK-ja do të përbëhet nga 2.500 pjesëtarë aktivë dhe 800 pjesëtarë rezervë. Krahasojeni këtë me Serbinë! Në aneksin 8, sektori i sigurisë në Kosovë në nenin 6.1 thotë se TMK-ja do të shpërbëhet, pikë. TMK-ja do të shpërbëhet. Dhe, pas shpërbërjes së UÇK-së po shpërbëhej edhe TMK-ja.
Të nderuar të pranishëm,
Negociatat pas pavarësisë së shpallur nuk janë pavarura prej atyre para pavarësisë e prej Pakos së Ahtisaarit. E para, sepse Serbia nuk e ka pranuar Pakon e Ahtisaarit ndonëse i ka marrë pjesët përbërëse të saj. E dyta, sepse Serbia e inkurajuar nga koncesionet e pakos, kërkon edhe më shumë koncesione. Kur të lëshosh pe tepër shumë atëherë do të të kërkojnë që të lëshosh pe edhe më shumë se ajo tepër!
Prandaj edhe demonstrata e 10 Shkurtit, prandaj ajo kryengritje qytetare, shoqërore, kombëtare kundër një koncesioni, një kompromisi të tillë të cilin e kishin pranuar me konsensus ata që i thoshin vetes ‘Ekip i Unitetit’ e që përderisa ne mbanin protestë në Prishtinë, ata me helikopterë të KFOR-it vizitonin veriun e Kosovës thua se u thuhej se vetëm nga ajri mund ta shihni atë pjesë që tjetërsohej vazhdimisht.
Presidenti i 20-të i SHBA-ve, James A. Garfield, një partizan i madh i të drejtave civile dhe i emancipimit të popullit të vet pa dallim race e etnie, thuhet se fjalët e fundit që i ka thënë, kur po e vrisnin, ishin “Më mbytën se isha për Republikën”. E tillë është edhe rënia e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit në Kosovën tonë, ata u vranë sepse ishin për Republikën.
Ata e deshën një Republikë të lirë, të barabartë me fqinjët e saj. Ata nuk ishin në asnjë moment kundër partnerëve apo aleatëve ndërkombëtarë, por ishin kundër sundimit të padrejtë e jodemokratik të burokratëve ndërkombëtarë mbi popullin e Kosovës.
Moni e Arbeni dolën në demonstratë jo për të kërcënuar dikë, as për t’ia mohuar të drejtat ndonjë individi apo ndonjë grupi. Jo. Ata bashkë me mijëra e mijëra të tjerë ishin protestues paqësorë, që kërkonin respektimin e së drejtës sonë për të ndërtuar shtetin tonë sovran, në Kosovën ku ne jetojmë brez pas brezi. Moni dhe Arbeni kërkuan vetëvendosje për Kosovën. Dhe ne jemi të lidhur me një betim shumë të fortë, që ta çojmë deri në fund amanetin e tyre.
Djali i vogël i Arben Xheladinit, Olti, i cili tashmë po rritet, nuk duhet të jetojë në një Kosovë kur liria është ende e rrejshme. Fëmijët e Kosovës duhet të rriten në një atdhe demokratik, në një atdhe ku funksionon drejtësia, në një atdhe ku nis zhvillimi ekonomik, pikërisht ashtu siç ishte në idealet e dëshmorëve.
Prandaj ne duhet të jemi seriozë në punën tonë, të jemi këmbëngulës, të mos vonohemi kurrë. Sepse çdo vonesë e jona është mungesë e respektit për dëshmorët. Kosova është lodhur prej atyre të cilëve u mungon respekti për dëshmorët dhe historinë. Kosova është e bukur, e drejtë dhe e zhvilluar në ëndrrat e dëshmorëve. Prandaj neve, të cilët jemi gjallë dhe veprojmë edhe falë gjakut të dëshmorëve, ia kemi borxh atyre që t’ua plotësojmë ëndrrat. Ëndrra amanet. Ëndrra e tyre, amanet për neve.
Si duhet të ecim përpara në raport me Pakon e Ahtisaarit që na e gjymton sovranitetin dhe ja merr kuptimin pavarësisë?
– Demokraci si vullnet i shumicës në institucione e jo veto pakicash që janë të dirigjuara nga jashtë e na bllokojnë;
– Decentralizim pas sovranitetit e për zhvillim, në vend se decentralizim etnik pa sovranitet;
– Bashkëjetesë e bashkëveprim i deterritorializuar në mes feve e jo eksterritorialitet i kishave dhe manastireve ortodokse që gabimisht e padrejtësisht quhen serbe;
– Partneritet e aleancë me faktorët ndërkombëtarë e jo servilitet kombëtar nën sundimin ndërkombëtar;
– Reciprocitet me Serbinë e jo pjesëmarrje në borxhin e jashtëm të Serbisë ndërkohë që jemi përjashtuar nga sukcesioni i Jugosllavisë; dhe,
– Ushtri moderne për Kosovën e jo FSK që nuk i ngjanë as xhandarmërisë tamam.
Të nderuar të pranishëm,
Demonstrata e 10 shkurtit 2007 nuk na takon neve, nuk na takon vetëm neve, në kuptimin që ajo i takon popullit tonë të cilit ne i shërbejmë si aktivistë politikë e si politikanë përfaqësues. Këtë demonstratë më kollaj e përshkruajmë sesa që e shpjegojmë dhe më kollaj e shpjegojmë sesa që e kuptojmë. Trashëgimia e 10 shkurtit 2007 është edhe përgjegjësia për ta kuptuar 10 shkurtin 2007. Sepse kuptimi i 10 Shkurtit shtrihet edhe në të ardhmen të cilën ende nuk e kemi jetuar, në efektet e saj në vijim teksa Paketa e Ahtisaarit s’e zë dot republikën. Sepse republika del mbi e përtej kësaj pakete, ose për sa mbetet brenda ajo s’është edhe me tamam edhe me gjithë mend republikë.
Lëvizja VETËVENDOSJE! është mbijetesa progresiste e protestës shoqërore dhe kombëtare të shqiptarëve të Kosovës nga shekulli XX e për shekullin XXI. Lëvizja VETËVENDOSJE! është lëvizje për ta shpëtuar protestën që shpëton popullin që vendos vetë.
Lavdi Monit dhe Arbenit dhe të gjithë dëshmorëve, heronjëve e martirëve të kombit tonë!
Ju falemnderit e mirupafshim në mbledhje, takime e aktivitete të tjera të Lëvizjes.