Pas rreth 12 viteve pune si infermiere në QKMF, po e mbyll një kapitull që ka qenë i mbushur me sakrificë, lodhje, frikë dhe mbi të gjitha – përkushtim pa kushte.
Kam punuar në kohë kur shumëkush kishte frikë, në pandemi kur rrezikohej çdo frymëmarrje, duke rrezikuar jo vetëm veten, por edhe familjen dhe fëmijët e mi.
Kam trokitur derë më derë në çdo cep të Gjilanit, nëpër fshatra e rrugë të vështira, shpesh vetëm – duke vozitur vet, duke mbajtur përgjegjësi vet, duke dhënë shërbime aty ku kishte nevojë, pa u ndalur asnjëherë.
Kam qenë aty për nënat, për fëmijët, për të porsalindurit… edhe atëherë kur unë vet sapo isha bërë nënë.
Ndoshta momenti më i rëndë për mua ka qenë kur, vetëm 4 ditë pasi linda, lashë djalin tim në shtëpi dhe dola në punë… sepse dikush kishte nevojë për mua.
Kjo nuk ishte vetëm punë – ishte mision, ishte zemër.
Por në fund… gjithë kjo sakrificë nuk u vlerësua siç duhej.
Nuk mjaftoi për një kontratë të rregullt, nuk mjaftoi për siguri, nuk mjaftoi për të ndërtuar të ardhmen këtu.
Sot po largohem me zemër të rënduar, duke lënë pas jo vetëm një vend pune, por një pjesë të shpirtit tim.
Po lë dy familje – atë që kam ndërtuar dhe atë që kam shërbyer – për të filluar nga e para në një vend të huaj.
Nuk është e lehtë… por është e vetmja rrugë që më mbeti.
Shpresoj që një ditë, sakrifica jonë të mos harrohet. Dhe që një ditë, askush të mos detyrohet të largohet nga vendi i vet për të gjetur vlerësimin që e meriton, përfundon ajo.

