Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili njihet për komentet e tij për skenën politike të Kosovës, e ka bërë edhe një të tillë. Ai kësaj here ka folur për deklaratën e Abdullah Hotit kundër Edi Ramës. Sipas Vuçiqit, Hoti i ka reaguar Edi Ramës për çështjen e “Presidentit gjithëkombëtar” pasi që është nxitur nga ndërkombëtarët.
Gjatë një interviste për një televizion në Serbi, Vuçiç ka komentuar deklaratat e Abdullah Hotit që doli kundër Edi Ramës, pasi ky i fundit tha në Kuvendin e Kosova se Shqipëria dhe Kosova në të ardhmen do të kenë një President të përbashkët.
Shefi i grupit parlamentar të LDK’së, duke i reaguar Ramës, kishte thënë se kjo është mungesë respekti për aspiratat e kosovarëve.
“Propozimi i Edi Ramës për president mbarëkombëtar është mungesë respekti për aspiratat e kosovarëve për shtet të pavarur, të integruar në BE dhe NATO”, pat shkruar Hoti.
E, sipas Vuçiçit kjo deklaratë është nxitur nga ndërkombëtarët.
“Përfaqësitë perëndimore i kanë shtyrë partitë politike në Kosovë të reagojnë negativisht ndaj deklaratës së Ramës. E gjetën një funksionar, Abdullah Hotin nga LDK’ja opozitare, i cili tha se Tirana nuk po e respekton mjaftueshëm Prishtinën. Por, askush tjetër nuk tha asgjë”, ka thënë Vuçiq derisa ka komentuar deklaratatë e Ramës në Parlamentin e Kosovës.
Vuçiq ka shprehi të bëjë komente për zhvillimet politike në Kosovë. Ai në një deklaratë e kishte përshkruar Kadri Veselin si njeriun më të fuqishëm në skenën politike, ndërkohë që kishte folur edhe për Lutfi Hazirin e Vjosa Osmanin, për të cilën kishte thënë se po përgatitet për të ardhur në krye të LDK’së./Gazeta Express/