Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) ka emëruar Aleksandra Jovanovic për drejtoreshë të kanalit në gjuhën serbe, respektivisht në RTK2.
Vendimi për votimin nga Bordi erdhi pas përfundimit të procesit të përzgjedhjes, përkatësisht rekomandimit nga Grupi Punues për përzgjedhjen e drejtorit të RTK2 bazuar në Ligjin për RTK-në dhe rregullativën e brendshme.
“Bordi pret që Jovanovic e cila ka një bagazh të pasur në gazetari dhe televizion, që ta forcojë pozitën e kanalit RTK 2 në treg si kanal televiziv lider për komunitetin serb. Bordi i RTK-së gjithashtu falënderon të gjithë kandidatët që morën pjesë në procesin e përzgjedhjes dhe rikonfirmon përkushtimin e tij për respektimin e standardeve më të larta të profesionalizmit dhe integritetit në punë”, thuhet në njoftim.
Në njoftim janë treguar edhe procedurat e përzgjedhjes.
“Procedurat e zgjedhjes së drejtorit të RTK2 përcaktohen në Ligjin për RTK-në, i cili në nenin 35 të tij e ngarkon Bordin e RTK-së për themelimin e një grupi punues të jashtëm, i cili e bën vlerësimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve. Ky grup përbëhet nga shtatë anëtarë, ku katër prej tyre janë të komunitetit serb, dy nga komuniteti shqiptar si dhe nj nga komunitetet tjera jo shumicë, të cilët duhet të jenë të gjithë politikisht të pavarur dhe përfaqësues të shoqërisë civile ose ekspertë të mediave”, thuhet në njoftimin e RTK-së.