Deputeti i LVV-së, Luan Aliu, ka thënë se lufta e Zhegocit u bë një prej betejave më të rëndësishme dhe më të suksesshme të UÇK-së shkruan Radio Star.
Ai po ashtu ka pohuar se aktet heroike dhe sakrificat e shumta të luftëtarëve në këtë betejë e bënë atë një moment vendimtar në historinë e Kosovës.
Shkrimi i plotë:
Në mëngjesin e 15 prillit, zona e Malësisë së Zhegocit me pushkët e lirisë jehonin nga duart e rinisë heroike, e cila ishte vendosur të sakrifikonte për lirinë e Kosovës. Lufta e Zhegocit u bë një prej betejave më të rëndësishme dhe më të suksesshme të UÇK-së. Në këto luftime ra dëshmori i parë, Pajazit Ahmeti, një luftëtar i patrembur i orëve të para të organizimit të UÇK-së në Zonën Operative të Kosovës (ZOK), ndërsa pranë tij u plagos luftëtari Afrim Myrtaj, i cili kishte marrur nëntë plagë gjatë kësaj beteje. Në luftimet e asaj dite, ranë dëshmorë edhe luftëtarët Alban Ajeti, çifti Tefik Zymberi dhe Hanumshahe Abdullahu, Ramadan Hyseni dhe Shaban Hyseni, si dhe mbeti i plagosur Fadil Qerimi.
Aktet heroike dhe sakrificat e shumta të luftëtarëve në këtë betejë e bënë atë një moment vendimtar në historinë e Kosovës. Në 25 vjetorin e kësaj beteje u mbajtë Akademi përkujtimore, dhe u bë zbulimi i Monumentit “Porta e Heronjëve – UÇK” tek Kompleksi i varrezave të dëshmorëve në Gjilan.
Lavdi e përjetshme për të gjithë dëshmorët e rënë për liri dhe pavarësi!