Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, bashkë me zëvendësministrin Hysen Durmishi, kanë parë prej afër sot punimet që po bëhen në rrugën Prishtinë-Podujevë.
Aliu e ka quajtur këtë një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në vend, derisa ka thënë se punimet po avancojnë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Tani që është rritur fluksi i qarkullimit të automjeteve në sezonën e verës, punimet për ndërtimin e aksit rrugor Prishtinë-Podujevë, po vijojnë me intensitet të shtuar, për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve e për të rritur sigurinë rrugore. Respekt për punën e palodhur të gjithësecilit”, ka shkruar Aliu, derisa ka publikuar edhe disa fotografi.
Ndryshe, Kryeministri Albin Kurti ka premtuar se sivjet do të pëfundohen rrugët që ka vite që kanë filluar së ndërtuari, përfshirë edhe kjo Prishtinë-Podujevë.
“Sa i përket infrastrukturës rrugore, vitin 2024 do të jetë vit i përfundimit të disa projekteve të vjetra dhe fillimi i disa të reja. Autostrada Prishtinë-Gjilan dhe rrugët Prishtinë-Podujevë, Prishtinë-Mitrovicë, Dollc-Gjakovë, e Drenas-Skenderaj pritet të finalizohen sivjet”, kishte deklaruar Kurti në një mbledhje të Qeverisë, në fillim të vitit.