Raporti i punës së Kryetarit të Komunës për periudhën janar-dhjetor 2018
Grupi i Këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin Komunal të Gjilanit me kujdes të veçantë e ka trajtuar Raportin Vjetor të Punës së Zyrës së Kryetarit për vitin 2018
Përmes këtij raporti, ne këshilltarët komunal e shohim njëkohësisht edhe qëllimin e mirë të përpiluesve të raportit që vazhdimisht të na mbajë të informuar neve të zgjedhurve të popullit dhe njëkohësisht edhe të paraqes punën e Qeverise Komunale për periudhën janar-dhjetor 2018.
Shihet se kemi të bëjmë me një raport të përgatitur mirë, i cili paraqet një përmbledhje të zhvillimeve kryesore për periudhën janar-dhjetor 2018.
Sipas parimit të vazhdimësisë, tash e pesë vite me radhë, është instaluar një komunikim i shkëlqyeshëm i ekzekutivit me legjislativin, e gjithë kjo në favor të zgjidhjes së kërkesave dhe nevojave të qytetarëve të komunës.
Vazhdohet me nivelin e lartë të interesimit dhe angazhimit për me mbajtë drejtimin e duhur në përmbushjen e kërkesave të qytetarëve të Komunës së Gjilanit, e gjithë kjo duke u bazuar në kompetencat e plota ligjore.
Gjithashtu, vazhdohet edhe më tutje me disciplinën buxhetore nëpër të gjithë resorët.
Duke u bazuar në raportet e drejtorive, vërehet se aktivitetet gjatë vitit 2018 kanë shënuar rritje në krahasim me periudhat e njëjta të viteve paraprake, janë “kurdisë” shumë projekte për vitet e ardhshme dhe që pritet të “shpërthejnë” në gjysmën e parë të vitit 2019 dhe disa prej tyre do të vazhdojnë edhe në vitet tjera (mega-projektet). Pra, jemi dëshmitarë të një përkushtimi, më të madhin deri më tani në të gjitha fushat.
Është vlerësimi i këshilltarëve të LDK-së se viti i parë i këtij mandati iku mjaftë shpejtë, por në këmbim të kësaj kohe të ikur na kanë mbetë për kujtim shumë punë të realizuara.
Raporti në fund në mënyrë të qartë i paraqet edhe sfidat e identifikuar gjatë kësaj peridhe, gjithashtu edhe zotimin së ato sfida do të jenë në objektiv të punës në vazhdim.
Ndër sfidat kryesore vlenë të theksohet mungesa e disa kuadrove në disa resorë si pasojë e suspendimit të tyre nga ana e kryetarit Haziri me rastin e ngritjes së aktakuzës për vepër penale të krimit të organizuar (ish-kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe të tjerët).
Vlerësimet e grupeve politike të përfaqsuara në Kuvendin e Komunës duket qartë se dallojnë aty-këtu, të gjithë kuvendarët e kan syrin e vet se si e shohin dhe pastaj si e vlerësojnë këtë raport.
Por, mos të harrojmë se vlerësimin më të mirë e ka bërë qytetari i Komunës së Gjilanit , duke e mveshur me besim kryetarin Lutfi Haziri në tre mandate (dy radhazi).
Ne, GK të LDK-së e vlerësojmë qëllimin e mirë të kryetarit të komunës për të raportuar drejtë dhe me kohë, gjithashtu inkurajojmë që të vazhdohet më tutje në nivelin tjetër .
Avdyl Aliu, shef i Grupit të Këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin Komunal të Gjilanit